Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë ku po pranohen dhe regjistrohen materialet e zgjedhjeve të 8 qershorit janë vërejtur se ka parregullsi në formularët e disa kutive të votimit, të cilat si rrjedhojë do t’i nënshtrohen rinumërimit.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj i ka rekomanduar KQZ-së që në rezultatet preliminare të mos përfshihen 18 kuti të votave me kusht dhe të dërgohen në rinumërim 14 kuti.

“Ka raste kur zarfet e fshehtësisë pa të dhënat e votuesve, ka raste tjera kur zarfet janë me të dhëna të votuesve por nuk janë të nënshkruara në Listat Përfundimtare të Votuesve, pra mungojnë nënshkrimet në Listën e Votuesve faktikisht, kërkoj falje. Pra, këto janë ato problemet të cilat nuk mund të procesohen si të rregullta të gjitha ato që janë me numër, nuk janë edhe me numër të madh, mirëpo është një numër i konsiderueshëm për secilin vendvotim, të mos përfshihen në rezultatet përfundimtare për mungesë të dhënave si dhe për mungesë të nënshkrimeve në listën e votuesve me kusht”, tha Burim Ahmetaj.

Ahmetaj po ashtu ka treguar se gjatë pranimit të materialeve zgjedhore kanë gjetur formularë të rezultateve të paplotësuara, dhe raste kur ka pasur edhe ndërhyrje në formularë të rezultateve.Pikërisht për shkak të këtyre rasteve, KQZ vendosi për të dërguar në rinumërim 14 kutitë, për të cilat anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi kërkoi që në këtë proces të jenë të pranishëm edhe vëzhguesit e partive politike. Edhe Florian Dushi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në KQZ kërkoi që të hetohet arsyeja e problemeve të paraqitura për votat me kusht.

Një çështje tjetër që u raportua në KQZ ishte edhe ajo se disa persona kanë votuar edhe në procesin e rregullt por edhe kanë hedhur votën e tyre me kusht.Për këta persona, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka paralajmëroi ndjekje penale.

“Ne, në fund të procesit pasi të verifikohen saktësisht se kush ka votuar dy herë apo më shumë herë, lista me emra të këtyre personave i shkon Prokurorit të Shtetit siç i ka shkuar edhe për vitin 2013, në zgjedhjet lokale, një listë prej 143 emrave. Por, natyrisht së pari duhet të verifikohen edhe të saktësohen qartësisht”, deklaroi Valdete Daka, kryetare e KQZ.

Në mbledhjen e KQZ u tha po ashtu se në QNR është duke u bërë edhe procedimi i të dhënave nga formularët e rezultateve për subjekte politike dhe për kandidatët për deputetë.Ndërsa për numërimin e më shumë se 35 mijë votave me kushte dhe atyre të diasporës, kryeshefi i KQZ-së Enis Halimi, ka thënë se duhet të pritur deri në javën e ardhshme, pasi procesi i numërimit të tyre fillon të dielën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA