Kosova është anëtarësuar sot në Komisionin e Venecias, njërin prej institucioneve të rëndësishme të Këshillit të Europës, një vit pas anëtarësimit në BERZH duke e dërguar në dy numrin e institucioneve të KiE-së që Kosova anëtarësohet brenda një viti.

35 shtete kanë votuar pro anëtarësimit që shënon edhe hapin final drejt aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës.

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj duke përshëndetur anëtarësimin në këtë organizatë dhe falënderuar të gjitha vendet për përkrahjen ka thënë se ky anëtarësim përbën forcim dhe ngritje të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“I falënderoj të gjitha shtetet mike e veçmas homologët e mi me të cilët gjatë këtyre javëve kemi komunikuar dhe koordinuar hapat e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Komisionin e Venecias. Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës si një prej institucioneve kyçe panevropiane drejt integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian. Me këtë anëtarësim, Kosova do të përfitoj drejtpërdrejt në rrafshin e forcimit të mëtejshëm të demokracisë, reformave kushtetuese dhe zgjedhore”, ka thënë Hoxhaj
 
Misioni i Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës është që të sigurojë këshilla ligjore për shtetet anëtare të saj dhe në veçanti, për të ndihmuar ata që dëshirojnë të bëjnë strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet dhe përvojën ndërkombëtare mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Lajmi i anëtarësimit në këtë Komision është njoftuar edhe nga Kryeministri Thaçi. Nëpërmjet rrjetit Facebook ai shkruan: “Lajm me të vërtetë i shkëlqyer sapo më erdhi! Republika e Kosovës u bë anëtare sovrane e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës. Me shumicë votash, pas një lobimi tonë të gjatë të diplomatëve tanë në Strasburg dhe Prishtinë dhe me ndihmën e partnerëve, u votua anëtarësimi i Kosovës në organizatën kryesore të interpretimit ligjor në Europë. Falënderoj miqtë e Kosovës për ndihmën. Vazhdojmë tutje!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA