Venezuela akuzon SHBA-në për shantazh, Kina dhe Rusia i dalin në mbrojtje: ‘Sjellje gangsterësh’, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e tij Kryengritësit islamikë kanë sulmuar qytetin irakian të Tikritit, pasi më parë shtinë në dorën e tyre Mosulin, qytetin e dytë më të madh të vendit.
Zyrtarët thonë se militantët janë tashmë nën kontrollin e disa pjesëve të Tikritit, vendlindjes së Saddam Hussein, që ndodhet rreth 150 km në veri të Bagdadit.
Kryeministri irakian Nouri Maliki është angazhuar të luftojë kundër xhihadistëve, si dhe të ndëshkojë këdo nga forcat e sigurisë që kanë dezertuar.
Kryengritësit që sulmuan Mosulin janë pjesë e grupit ISIS. Ende nuk është konfirmuar se cilët kanë sulmuar Tikritin, por dyshohet se janë militantët e ISIS, Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, të cilët kanë lidhje me al-Qaeda-n.
500,000 vetë janë detyruar të largohen nga Mosuli, pasi kontrollin e
qytetit të dytë më të madh të Irakut, praktikisht e kanë marrë në dorë
militantët islamikë.
Mes të larguarve, kur qindra xhihadistë të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit mësynë qytetin dhe pjesën më të madhe të provincës Nineveh, ka edhe trupa ushtarake.
Kryeministri Nuri al Maliki u përgjigj, duke i kërkuar Parlamentit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, që i jep atij fuqi më të mëdha për të vepruar. Për Uashingtonin, zhvillimet e fundit në Irak tregojnë se grupi në fjalë është një kërcënim për mbarë rajonin.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se fuqizimi në Siri i organizatës së lidhur me Al-Kaedën, i ndihmoi militantët në pushtimin e Mosulit.
“E kemi parë nga situata në Siri dhe ndikimi, që ajo ka patur në transferimin e rekrutëve të kësaj organizate, municioneve të sofistikuara dhe burimeve të tjera, në luftën në Irak. Dhe, natyrisht, ky ka qenë një shqetësim i madh për ne”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e DASH.
Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, një degë e al-Kaedës në rajon, kontrollon tashmë një pjesë të konsiderueshme territori në lindjen e Sirisë dhe në Perëndim e në qendër të Irakut.
Ekspertët mendojnë se veprimet e tij janë pjesë e një fushate të mirëfilltë për krijimin e një enklave militantësh në këtë zonë.
Banorët e Mosulit thonë se flamuj xhihadistë ngrihen tani mbi ndërtesa kryesore dhe se rebelët kishin njoftuar me altoparlantë se ishin aty për të çliruar qytetin. Situata është kaotike, tha një punonjës i zyrës së guvernatorit, dhe askush nuk është këtu për të na ndihmuar. Është pak të themi se kemi frikë.
Për Shtetet e Bashkuara, humbja e Mosulit dhe pjesëve të tjera të provincës Nineveh, tregojnë një përkeqësim serioz të sigurisë në Irak dhe ringjalljen e kërcënimit nga ISIS, e cila po përfiton prej ndasive politike mes sunitëve, shiitëve dhe kurdëve.
Përkeqësohet ndjeshëm situata në Irak. Grupet xhihadiste kanë marrë
kontrollin edhe të 2 zonave në veri të Bagdadit. Njoftimi është bërë nga
një gjeneral ushtarak.
Milicia e Shtetit Islamik të Irakut dhe të Levantit (ISIS), të nxitura nga Al-Kaeda, kanë marrë nën kontroll rajonin e Siniyah dhe Soulemane-Bek, pas tërheqjes së forcave të sigurisë.
Më herët, gjatë ditës së martë militantët islamikë ‘pushtuan’ edhe qytetin më të madh në vend, Mosulin.
Top Channel