Gjendja e re politike, e krijuar pas shpalljes së koalicionit nga forcat opozitare, që synojnë të formojnë qeveri, dhe interpretimet e ndryshme nga ana e ekspertëve kushtetues, ka sjellë një konfuzion në publik dhe, sipas shpjegimeve të deritanishme, e gjithë kjo çështje mund të përfundojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel ka konsultuar komentimin e vetëm, që i është bërë Kushtetutës së Kosovës, nga ana e kryetarit të saj Enver Hasani dhe eksperti tjetër Ivan Çukaloviç. Në këtë interpretim, kur flitet për formimin e qeverisë së re, në komentim thuhet:

“Pika 5. Termi “koalicion”, në kuptim të këtij paragrafi, i referohet një koalicioni parazgjedhor, dhe jo një koalicioni paszgjedhor, kur disa parti politike apo nisma qytetare kanë garuar me një listë të përbashkët deputetësh për Kuvendin e Kosovës. Arsyetimi i argumentit të fundit lidhet me faktin që ky nen përcakton, që kandidatura rrjedh nga partia apo koalicioni që ‘ka fituar’ votat e nevojshme. Pra, termi ‘ka fituar’ i referohet një gjendjeje, ku një koalicion parazgjedhor ka garuar me një listë të përbashkët të kandidatëve për deputetë, dhe jo një koalicioni, që mund të lindë ‘pas’ konstituimit të Kuvendit”.

Megjithatë, pyetja është se çfarë do të ndodhte, nëse në Kuvend nuk ka asnjë parti apo koalicion parazgjedhor, që ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, dhe se kujt i duhet drejtuar presidenti i Republikës për t’ia kërkuar kandidaturën, që duhet propozuar për kryeministër?

“Pika 6, pj 2. Paragrafi në fjalë nuk jep shpjegim se çfarë duhet bërë në një situatë të tillë. Megjithatë, sikur del logjikshëm, presidenti i Republikës në një rast të tillë duhej të ishte i detyruar, që të konsultonte partinë/koalicionin parazgjedhor, që ka fituar shumicën e votave, për të formuar qeverinë, për të marrë emrin e kandidatit, që ai do të propozonte për kryeministër në Kuvend”.

Top Channel ka mësuar edhe nga burime brenda Presidencës se, në rast se partitë opozitare, që kanë bërë bllok për ta bërë qeverinë e re nga opozita, i kërkojnë presidentes ndonjë shpjegim, ajo do të ketë për bazë vetëm Kushtetutën dhe këtë komentim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA