Takimi për reformat europiane

10/06/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti mbështetjen e saj për ish-kryeministrin e Luksemburgut, Jean Claude Juncker, për postin e Presidentit të Komisionit Europian, gjatë mini-samitit që u zhvillua në Suedi.

Megjithëse ajo u shpreh e lumtur për zgjedhjen e saj, nënvizoi se nuk ishte zgjedhja e kreut të Komisionit Europian çështja kryesore e samitit dyditor.

“E kam përmendur edhe në Gjermani çështjen e kandidatëve dhe do të isha e lumtur ta bëja sërish këtu. E kam thënë; për mua Jean Claude Juncker është kandidati për President i Komisionit Europian, do të doja ta mbante ai këtë post”, tha Merkel.

Kryeministri britanik, David Cameron, i cili kërkon një kandidat më pak federalist, tha se përparësi ishin politikat e Komisionit Europian.

“Kam një qasje shumë të drejtpërdrejtë, që është; unë e dua Britaninë në një Bashkim Europian të reformuar. Ky është qëllimi im, është kjo që mendoj se është më e mira edhe për Europën”, tha Cameron.

Të pranishëm në bisedime ishin dhe kryeministrat e Suedisë dhe Holandës.

“Më në fund, kemi rënë dakord se përparësitë e politikës së ardhshme të BE-së duhen të vendosen përpara se të vendosim për emërime në detyrat kryesore”, tha Fredrik Reinfeldt, kryeministër i Suedisë.

“Ne duam të ecim përpara së bashku, për një axhendë që do të modernizojë Bashkimin Europian dhe ne kemi nevojë t’i kthehemi detyrave thelbësore, duke u përqendruar te më shumë vende pune dhe rritje ekonomike”, tha Mark Rutte, kryeministër i Holandës.

Katër politikanët e qendrës së djathtë u takuan në Harpsund, në afërsi të Stokholmit, në përpjekje për të arritur konsensusin mbi reformat europiane.

Krijimi i vendeve të punës, rritja ekonomike dhe reforma strukturore për të nxitur konkurrueshmërinë e BE-së ishin pjesë e takimit, që përfundoi mëngjesin e së martës.

Këshilli Europian, ku bëjnë pjesë 28 krerët e vendeve anëtare, në fund të muajit Qershor do të shpalle kandidatin e Komisionit. Sipas traditës, udhëheqësit europianë kanë përcaktuar kreun e Komisionit, por mbështetur mbi rregullat e reja, duhet të marrin parasysh rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentin Europian, që u fituan nga PPE, të cilës i përket edhe Jean Claude Junker.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, drejtuesi i negociatave me Parlamentin e BE për zgjedhjen e kandidatit tha se “ne duhet të gjejmë zgjidhjen për emërimin e presidentit të Komisionit”.

Në kampin anti-Juncker, veç Britanisë së Madhe, janë edhe Holanda, Suedia dhe Hungaria, ndoshta edhe Italia. Mbështetja e kësaj të fundit është shumë e rëndësishme për të bllokuar Juncker-in, sepse vendet e mëdha kanë më shumë peshë në votim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB