Irak, Maliki kërkon “shtetrrethimin”

10/06/2014 00:00

Kryeministri irakian i ka kërkuar Parlamentit të deklarojë gjendjen e emergjencës, pasi militantët islamikë morën kontrollin e Mosulit dhe pjesën më të madhe të provincës Nineveh.

Nouri Maliki tha se “zona jetësore” të qytetit janë rrethuar, dhe se rreth 150 mijë njerëz besohen të jenë larguar nga qyteti.

Ushtarët u larguan nga Mosuli, teksa qindra xhihadistë nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS) pushtuan qytetin.

Shtetet e Bashkuara thanë se ISIS përbën një kërcënim jo vetëm për Irakun, por edhe për gjithë rajonin.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, tha se situata në Mosul, qytetin e dytë më të madh të Irakut, ishte “jashtëzakonisht serioze” dhe se SHBA-të mbështesin “një përgjigje të fuqishme, të koordinuar, për t’u përballur me këtë agresion”.

Forcat e sigurisë thanë gjithashtu për BBC se luftime të ashpra kishin shpërthyer mes forcave irakiane dhe luftëtarëve të ISIS, në qytetin e Rashadit, pranë Kirkuk-ut, në jug-lindje të Mosulit.

Në një dalje televizive, kryeministri Maliki tha se forcat e sigurisë ishin vendosur në gjendje “gatishmërie maksimale”.

Ai tha gjithashtu se i kishte kërkuar Parlamentit të shpallte gjendjen e emergjencës, që do të zgjeronte fuqitë për arrestime dhe do të lejonte vendosjen e shtetrrethimit, si dhe një “mobilizim të përgjithshëm” të qytetarëve civilë.

ISIS kontrollonte ilegalisht pjesën më të madhe të provincës Nineveh prej muajsh, ndërsa gjatë javës së kaluar sulmoi qytetet dhe fshatrat në perëndim dhe veri të Irakut, duke vrarë me dhjetra njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB