Dhuna seksuale në luftë

10/06/2014 00:00

Një takim 4-ditorë mbi dhunën seksuale në luftë do të mbahet në Londër, i organizuar nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague si dhe e dërguara e posaçme e OKB-së, Angelina Jolie.

Veprimtaria, e quajtur “Samiti global për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt”, është kulmi i një fushate 2-vjeçare të ngritjes si shqetësim të këtij fenomeni. Hague është duke i bërë thirrje 140 shteteve të pranishme për të shkruar masa kundër dhunës seksuale në trajnimet e tyre ushtarake.

Takimi në qendrën “Excel” në Londër është konferenca më e madhe e zhvilluar ndonjëherë për dhunën seksuale në zonat të cilat janë të përfshira në konflikte.

Në këtë samit do të marrin pjesë përfaqësues nga ministritë e jashtme, ministritë ushtarake, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organizata joqeveritare nga e gjithë bota.

Në 2 vite të nisjes së fushatës nga Hague dhe Jolie është miratuar një deklaratë nga 141 vende për t’i dhënë fund dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura. Qëllimi tani është që të merren hapa konkrete, duke përfshirë përmirësimin e hetimeve dhe dokumentimin e dhunës seksuale, gjithashtu të sigurohet edhe një ndihmesë për të mbijetuarit.

Më herët, gjatë këtij viti Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague tha se ishte koha për t’i dhënë fund dhunës seksuale nga ‘arsenali botëror i mizorive’. Ai shtoi se kjo çështje shpesh është shpërfillur në përfundim të luftërave, duke iu referuar 50 mijë femrave të dhunuara në Bosnje 2 dekada më parë, pothuajse për asnjërën prej tyre nuk është vendosur drejtësi.

“Ne duhet të kthejmë praninë e padukshme të grave në shumë vende të botës në një forcë të dukshme në çdo shoqëri, me gratë të përfaqësuara në çdo proces paqeje, në çdo qeveri dhe në të gjitha sferat e jetës”, shtoi William Hague.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB