Sulmi në aeroport, përgjegjësi e talebanëve

09/06/2014 00:00

Aeroporti më i madh i Pakistanit është kthyer në fushëbetejë mes forcave vendase të sigurisë dhe agresorëve, që e mësynë të dielën, duke shkaktuar 28 të vdekur, 10 nga të cilët militantë.

Shumica e viktimave ne radhët e civilëve ishin punonjës të aeroportit ndërkombëtar të Karachi-t. Disa persona mbetën të plagosur, përfshirë dhe një polic…

Dhuna rishpërtheu pak orë, pasi ushtria deklaroi se kishte marrë kontrollin e aeroportit ndërkombëtar “Jinnah” dhe se 10 sulmuesit ishin vrarë.

Talebanët e Pakistanit, një aleancë grupesh rebele që kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe vendosjen e një shteti të sheriatit, morën përgjegjësinë e mësymjes së aeroportit me raketa-hedhëse e mitraloze, në një rrethim 5 orësh.

Shpërthime janë dëgjuar gjatë gjithë natës. Sipas talebanëve, episodi ishte një kundërpërgjigje ndaj sulmeve të ushtrisë, në zonat kufitare me Afganistanin.

“E kryem ne sulmin në aeroportin e Karachi-t, si mesazh të qartë për qeverinë pakistaneze, që ta dijë se jemi këtu për të reaguar ndaj vrasjes së njerëzve të pafajshëm, nga sulmet me bomba në fshatrat e tyre”, tha zëdhënësi i militantëve, Shahidullah Shahid, i cituar nga Reuters.

Dëshmitarët okularë rrëfyen se militantët erdhën në një mikrobus, të veshur me uniforma policie. Siç pohuan më pas zyrtarë vendas, ata kishin me vete ushqime të konservuara, çka tregon se qëllimi ishte të organizohej një rrethim sa më i gjatë e me numër të madh viktimash.

Agresorët ishin të trajnuar mirë dhe plani i tyre i menduar me kujdes. Shtatë nga sulmuesit u vranë gjatë shkëmbimzjarrit me forcat e rendit, ndërsa tre të tjerë shpërthyen eksplozivët që kishin në trup.

Edhe pse në shënjestër të tyre ishin edhe avionët në pistë, asnjëri nuk u dëmtua. Sipas autoriteteve ushtarake, ka të dhëna që tregojnë se, një pjesë e sulmuesve mund të kenë qenë luftëtarë të huaj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta