SHBA iu hoqi vizat zyrtarëve europianë që hartuan Aktin e Shërbimeve Digjitale, reagon Macron: Sulm ndaj sovranitetit tonë digjital
Policia braziliane ka përdorur gazin lotsjellës kundër protestuesve në Sao Paulo, pikërisht 3 ditë përpara fillimit të Botërorit të futbollit, që do të nisë me ndeshjen hapëse në stadiumin kryesor të këtij qyteti.
Korrespondentja e BBC bën të ditur se në vendngjarje janë mbledhur rreth 300 demonstrues, ndërkohë që helikopterët e policisë qarkullojnë mbi kokat e tyre.
Protesta u organizua nga punonjësit e metrosë së Sao Paulo-s, të cilët janë në grevë pasi kërkojnë rritje me 12,2% të pagës së tyre.
Presidentja braziliane, Dilma Rousseff, ka bërë të ditur se nuk do të lejojë demonstrues të dhunshëm të cënojnë zhvillimin e Botërorit.
Punonjësit e metrosë së Sao Paulo-s kanë protestuar që prej së enjtes, duke krijuar kaos në trafik, në një nga qytetet më të mëdha dhe më të mbipopulluara në botë.
Të dielën, anëtarë të unionit votuan në favor të vazhdimit të grevës së pakufizuar, pavarësisht një urdhri të gjykatës, që u kërkon atyre kthimin në punë dhe i kërcënon për shkarkim nga puna nga guvernatori i shtetit.
Nëse greva vazhdon deri të enjten, do të ndikojë padyshim edhe në ndeshjen hapëse të Botërorit, pikërisht atë që do të luhet mes Brazilit dhe Kroacisë.
Stadiumi i Corinthians-it është në një pjesë periferike të Sao Paulos dhe vajtja deri atje pa pasur mjetet e transportit publik do të ishte një sfidë e madhe për tifozët.
Top Channel