Poroshenko: Brenda javës, fund luftimeve

09/06/2014 00:00

Presidenti i ri i Ukrainës kërkon brenda javës fundin e luftimeve në rajonet lindore të vendit.

Deklarata e Petro Poroshenko-s vjen në një kohë me njoftimet, se përplasjet e dhunshme po vazhdojnë në qytetin e Slovianskut, të kontrolluar nga rebelët, dhe në rrethinat e tij.

Pas takimit me të dërguarën e posaçme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Heidi Tagliavini, dhe ambasadorin rus në Kiev, Mikhail Zurabov, Poroshenko sugjeroi të mbahen takime të përditshme me të ashtuquajturin “grup kontakti” tripalësh, për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.

“Brenda kësaj jave, përplasjet e armatosura duhet të kenë përfunduar. Të gjitha palët duhet të ulin armët. Për mua, çdo ditë që humbin jetë njerëzore, çdo ditë që Ukraina paguan një çmim kaq të lartë, është e papranueshme”, tha Petro Poroshenko.

Poroshenko shtoi se forcimi i kufirit është i një rëndësie jetike për të garantuar sigurinë e çdo qytetari ukrainas.

Kievi dhe Perëndimi vazhdojnë të ndajnë bindjen se është Rusia, ajo që i mbështet separatistët në Lindje, pretendime këto të hedhura poshtë nga Moska.

Situata në terren mbetet larg qetësimit dhe, pas të shtënave të raportuara në qytetin Torez, mediat thonë se mund të ketë edhe viktima.

Pavarësisht operacionit anti-terror të trupave ukrainase, militantët e aramtosur pro-rusë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll një sërë ndërtesash qeveritare në rajonet lindore të vendit.

Poroshenko bëri të shtunën betimin si president, pas fitores në zgjedhjet e 25 Majit. Në fjalimin e mbajtur me atë rast, njeriu që në Ukrainë njihet si “mbreti i çokollatave” ofroi lëshime politike për mbështetësit e Moskës, e tha se nuk dëshiron luftë e as hakmarrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB