Me 97% të fletëvotimeve të numëruara në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, PDK udhëheq me 30,91%; Lidhja Demokratike e Kosovës 25,83%; ndërsa Lëvizja Vetëvendosje me 13,57%.

Më tej vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9,53%. Nisma për Kosovën 5,29%, ndërsa AKR ende nën pragun zgjedhor me 4,68%.

Në qendrën për numërimin e rezultateve në Fushë Kosovë ka filluar dorëzimi i materialeve dhe pritet verifikimi i procesverbaleve dhe  votave të kandidatëve për deputetë.

Të hënën në mbrëmje, KQZ pritet të shpallë rezultatet paraprake. Në zgjedhje morën pjesë 43,16% e zgjedhësve të regjistruar.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të dytat pas shpalljes së Pavarësisë, ndërsa të parat, që mbahen në të gjithë territorin e Kosovës, ku gjithashtu morën pjesë dhe serbët e veriut të vendit.

Kurti: Fitorja e PDK, lajm i keq

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një paraqitje për media e ka quajtur lajm të keq për Kosovën fitoren e PDK-së. Sipas tij fakti që PDK doli e para është lajm i keq pasi ajo sipas tij është partia e korrupsionit, e krimit dhe e bashkëpunimit me Serbinë.

“Jemi të interesuar që të takohemi me partitë opozitare që të pamundësojmë edhe një mandat tjetër keqeverisës të PDK-së. Jemi të interesuar që të takohemi me partitë e tjera që të mos i bashkohen PDK-së”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se nuk e përjashtojnë as koalicionin me LDK, por sipas tij së pari duhet të bindin partitë e tjera që të mos i bashkohen partisë së Thaçit.

Nisma e Limajt fiton në Malishevë

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nisma për Kosovën e Fatmir Limaj ka dalë e para në Malishevë.

Megjithatë, ndonëse ishte pritur më shumë, ajo ka mundur të bëjë për vete vetëm rreth 38 për qind të elektoratit të kësaj komune.

Nga mbi 90 për qind të votave të numëruara, sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma në këtë komunë ka siguruar 38,7 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 26,1 për qind dhe LDK me 18.6 për qind.

Megjithatë, Nisma në nivel të përgjithshëm, sipas të dhënave të KQZ-së, pritet që të kalojë pragun zgjedhor.

***

Lidershipi i PDK-së ka shpallur fitoren të dielën në mesnatë në “Sheshin 21” para mijëra simpatizantëve, ku u paraqit edhe udhëheqësi i partisë Hashim Thaçi.

Pasi falënderoi gjithë votuesit për besimin e ri që i dhanë PDK-së dhe atij, tha se menjëherë do të nisin punën për realizimin e Misionit të Ri i cili parasheh krijimin e 200 mijë vendeve të reja pune si dhe krijimin e fondit prej 1.5 miliardë euro.

“Sot, qytetarët e Kosovës u përballën me një pyetje të thjeshtë, por vendimtare për Kosovën: çfarë lloj shteti duhet të ndërtojmë? Dhe sonte vota demokratike e dëgjoi përgjigjen e qytetarëve të Kosovës shumë qartë. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që e dhanë verdiktin e tyre, por zëri i tyre ushtoi në mbarë vendin, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Peja në Gjilan e nga Kaçaniku në Skënderaj gjithandej në Republikën e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Pas fjalimit të Thaçit para simpatizantëve, për ta ishte përgatitur një festë me fishekzjarrë në ambientet e hapura.

Ndërkohë, LDK-ja nuk ka bërë asnjë komunikim me publikun pas daljes së rezultateve të para. Arban Abrashi nga shtabi zgjedhor i LDK-së ka konfirmuar për Top Channel se nuk do të dalin deri të hënën në mesditë për të folur për zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga ana tjetër po vazhdon numërimin e votave, ndërsa përmes një komunikate për media kanë njoftuar se të hënën gjatë ditës do të shpallin rezultatet preliminare.

Vetëvendosja: Dyfishuam votat

Një nga drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosje e cilësoi të suksesshëm rezultatin e kësaj lëvizjeje që sipas tij është dyfishim në krahasim me zgjedhjet vendore.

Sipas Dardan Molliqajt, një rezultat i tillë (partia e tretë me 13.73% të votave) është konsolidim i një koncepti të majtë në politikën kosovare.

“Shqetësim mbetet pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje që tregon për një pasivitet të theksuar të elektoratit. Dua të falenderoj mbështetësit e Vetëvendosjes pasi jemi dyfishuar me vota dhe përqindje në krahasim me zgjedhjet lokale. Minimumi do të kemi 6 deputetë më shumë në Parlament. Pra, po mbështetet në Kosovë një koncept i majtë”, tha Molliqaj.

Rama uron Thaçin

Kryeministri Edi Rama ka uruar kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, për fitoren e shënuar në zgjedhjet e 8 qershorit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama i ka uruar suksese të gjithë anëtarëve të Parlamentit të ri të Kosovës.

“Urime Hashimit&PDK për fitoren, suksese të gjithë anëtarëve të Parlamentit të ri të Kosovës. Shumë është bërë, ka ende shumë për të bërë”, shkruan Rama.

Sejdiu: U tregua kultura demokratike e qytetarëve të Kosovës

Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Kosovës, ka theksuar se zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë “treguan kulturën demokratike të qytetarëve”.

“Procesi zgjedhor dhe vota e elektoratit përcakton vendin dhe forcën e partive politike dhe ky përcaktim politik kërkohet të respektohet duke kontribuar të gjitha subjektet elektorale në vazhdimin e proceseve tjera të konsolidimit të institucioneve legjislative dhe ekzekutive”, ka vlerësuar Sejdiu siç publikon telegrafi.com.

Sejdiu ka shtuar se shpreson në vazhdimin e këtij procesi demokratik dhe në përmbylljen e tij të suksesshme, duke shtuar se “fituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët dhe perspektiva evropiane e qytetarëve dhe e shtetit të Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA