NATO, stërvitje ushtarake në Letoni

09/06/2014 00:00

Manovrat ushtarake të këtij viti në Letoni përfshijnë edhe ushtarë të NATO-s, një prani që synon t’iu heqë vendasve frikën nga fqinjët e fuqishëm rusë.

Pajisjet ushtarake nuk janë nga më të mirat: ushtria letoneze ka një prej buxheteve më të vogla, krahasuar me anëtarët e tjerë të aleancës atlantiko-veriore.

Stërvitja e forcave mbrojtëse të vendit bëhet me qëllimin e përgatitjes dhe gatishmërisë ndaj një sulmi të mundshëm të Moskës.

Deri tani, Rusia ka treguar shumë pak interes për këtë fqinj të saj, një vend i vogël e jo fort i pasur në rezerva natyrore. Megjthatë, lidershipi i atjeshëm preferon më mirë të jetë i përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

Në Letoni, një në tre vetë ka paraardhës rusë. Edhe sot, shumë prej tyre i kanë mbetur besnikë Rusisë, e një pjesë mendojnë se Moska duhet ta aneksojë Letoninë. Rusia është vend i madh e bën atë që do, thonë ata.

Zotimi i Barack Obama-s për të mbrojtur aleatët në Lindje të Europës e për t’i kërkuar Kongresit 1 miliard dollarë fonde, me qëllim shtimin e fuqisë mbrojtëse rajonale, mund të jetë makthi i Vladimir Putin i bërë realitet, mendojnë ekspertët.

Ose, ndoshta, është rigjallërimi i rivalitetit Lindje-Perëndim, të cilin shefi i Kremlinit e sheh si të vlefshëm. Presidenti rus kërkon t’i bindë bashkëkombasit e vet, se Rusia e ka rifituar statusin e superfuqisë, që kishte në periudhën sovjetike, dhe se rusëve mund t’iu rikthehet krenaria e munguar prej tkurrjes së fuqisë, që pas Luftës së Ftohtë.

Putin është shprehur vazhdimisht kundër atij, që e konsideron si ekspansion të NATO-s, me rekrutimin e tre shteteve baltike: Estoni, Letoni e Lituani, që të treja ish-Republika sovjetike.

Gjatë turit të tij europian, Obama u takua jo pa qëllim me liderët e vendeve në fjalë, si dhe udhëheqësit e shteteve të ish bllokut lindor: Polonisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Rumanisë e Bullgarisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB