Rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote shprehën vullnetin e tyre këtë të dielë për të përcaktuar ligjvënësit e rinj që do t’i përfaqësojnë në parlamentin e ri.
Procesi i votimit nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 19:00 me përjashtim në disa qendra votimi ku kishte ende radhë. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte rreth 43 përqind.
Mbarëvajtja e zgjedhjeve ka qenë përgjithësisht e qetë me incidente të vogla që u izoluan menjëherë nga autoritetet. Partitë politike gjatë ditës kanë vlerësuar procesin si pozitiv, përvec Nismës së Fatmir Limajt që akuzoi për tentativa për manipulim të votimit, duke drejtuar gishtin pikërisht te qeveria në detyrë se ka sjellë votues me autobusë nga rrethet e tjera të Kosovës për të votuar në Prishtinë dhe për të ndikuar kështu në rezultat.
Pjesëmarrje të kënaqëshme në proces ka patur edhe në radhët e komunitetit serb, megjithëse udhëheqësit e këtyre të fundit në Veri deklaruan se nuk do të votojnë nën logon e Republikës së Kosovës. Por pas thirrjes së Beogradit për të mos bojkotuar procesin, duket se gjithcka ka ndryshuar.
Procesi i numërimit ka nisur dhe rezultatet e para pritet të publikohen rreth mesnatës.
Pjesëmarrja në votime. Kryeson komuna Skënderaj, lëvizje edhe në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka prezantuar rezultatet e numrit të votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre deri në orën 15:00.
Duke e krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, këtë herë vihet re një rënie e madhe e numrit të qytetarëve që kanë aplikuar këtë të drejtë.
Deri më tani janë banorët e komunës së Skënderajt që kanë votuar më shumë se të tjerët, me gjithësej 34.27%.
Ndërkohë, banorët e katër komunave veriore me shumicë serbe, të cilët në vitin 2010 i bojkotuan zgjedhjet, këtë herë kanë dalë për të hedhur flietën në kuti.
Deri më tani numri i përgjithshëm i votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është 451 mijë e 895, ose 25.34 përqind.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të dytat pas shpalljes së Pavarësisë, ndërsa të parat, që mbahen në të gjithë territorin e Kosovës.
Numri i qendrave të votimit është 798, me 2374 vendvotime gjithsej, në 38 komuna.
Vlen të theksohet se në këto zgjedhje votohet për 100 nga 120 vendet e Kuvendit të Kosovës, pasi 20 prej tyre u janë rezervuar pakicave etnike. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 të ditës së sotme.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 30 subjekte politike, të cilat do të garojnë në këto zgjedhje me 1200 kandidatë, për të siguruar përfaqësimin në Parlamentin 120 vendesh. Zgjedhjet e sotme në Kosovë do të monitorohen nga rreth 30 mijë vëzhgues, ndërkohë që në gatishmëri do të jenë edhe 100 prokurorë, të cilët do të ngrejnë padi për ata që dëmtojnë procesin zgjedhor.
Votojnë krerët e shtetit dhe liderët e partive politike
Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe liderët e subjekteve politike kanë votuar paraditen e së dielës dhe i kanë ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të dalin në zgjedhje për të votuar.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, kanë votuar në orën 10 te salla e sporteve “1 Tetori”. Jahjaga, me këtë rast, i ka ftuar të gjithë qytetarët, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
“E kreva obligimin tim qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në të gjitha pjesët dhe në çdo cep të shtetit, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore, sepse vetëm kështu do ndihmojnë vendin dhe do të përcaktojnë të ardhmen e shtetit të tyre. Këto zgjedhje dëshmojnë demokratizimin dhe përcaktojnë shkallën e pjekurisë së shtetit tonë gjithëpërfshirës”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi, kanë votuar në vendvotimin që ndodhet në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë. Me këtë rast, Thaçi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje, për të votuar – siç tha ai, – për një të ardhme edhe më të mirë për vendin.
Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore “Emin Duraku”, në Prishtinë. Edhe Mustafa ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të kryejnë obligimin e tyre qytetar.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, në Prishtinë, dhe ka thënë se është shumë me rëndësi, që në këto zgjedhje të votojnë të gjithë. Edhe krerët e subjekteve të tjera politike, që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tashmë kanë votuar.
Ndërkohë, thirrje qytetarëve për të votuar u ka bërë edhe Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, duke u shprehur që “sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet sot, dilni edhe votoni”.
Zgjedhjet në veri të Mitrovicës
Për herë të parë serbët votojnë nën stemën e Kosovës
Barrikadat në rrugët e veriut nuk bllokuan daljen e qytetarëve serbë në zgjedhjet nacionale të Kosovës. Për herë të parë në Kosovën e pavarur serbët po hedhin votën e tyre në zgjedhet kosovare, nën stemën e Republikës së Kosovës.
Vota e tyre në fletëvotime jep sinjalin pothuajse të parë në historinë e vendit që më në fund pranojnë Prishtinën zyrtare. Megjithatë, qytetarët serbë nuk pranonin të flisnin para kamerave.
“Nga ora 7 janë hapur 35 qendra votimi, të drejtë vote kanë 80 mijë votues dhe vetëm në komunat me shumicë serbe janë rreth 26 mijë. Në qendrat e votimit ka pasur pjesëmarrje të mirë. Pjesëmarrja e banorëve serbë ishte në dyshim, pasi më parë ata kanë refuzuar votimin nën logon e Republikës së Kosovës.
Nuk ka pasur asnjë incident të raportuar nga policia. Në gjithë rajonin e Mitrovicës janë angazhuar 500 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të ndihmuar nga KFOR dhe EULEX”, ka raportuar korrespondentja e TCH, Valdete Osmani.
Incidenti i parë në Prizren. “Nisma për Kosovën” akuza për manipulime
Së pari ka qenë një rast në Prizren, nga ku Kryeprokurorja e Kosovës, Laura Pula, ka dalë gjatë orëve të mëngjesit
në konferencë për shtyp, për të raportuar për një incident të shënuar në
një vendvotim. Sipas saj, një zyrtar zgjedhor në
Prizren pengoi një qytetare gjatë procesit të votimit, por ai është
zëvendësuar menjëherë, duke shmangur çdo pasojë negative.
Ndërkohë, në Prishtinë ka qenë “Nisma për Kosovën” e Fatmir Limajt ajo që akuzuar për tentativa për manipulim të votimit, duke drejtuar gishtin pikërisht te qeveria në detyrë se ka sjellë votues me autobusë nga rrethet e tjera të Kosovës për të votuar në Prishtinë dhe për të ndikuar kështu në rezultat.
Gjithashtu ka dalë edhe një problem në lidhje me numrin e fletëve të votimit, ku është vërejtur në disa qendra votimi më pak fletë nga votues. Por, sipas një vendimi të mëhershëm nga organizatorët e zgjedhjeve, janë marrë të gjitha masat që në këto qendra të mos ketë probleme, madje t’u vihen në dispozicion fletëvotime, në mënyrë që të mos ngelet askush pa votuar.
Korrespondenti i Top Channel në Prishtinë, Valmir Klaiqi, bën të ditur se”zgjedhjet kanë shkuar qetë edhe pse ka pasur probleme të vogla”: “Deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 27% e personave me të drejtë vote. Gjatë ditës, subjektet politike kanë akuzuar njëra-tjetrën se militantët kanë bërë fushatë në vendvotime. Janë ngritur deri tani 3 akt-akuza dhe do të hetohen në gjykata. Edhe në veri procesi po ecën qetë.
Pritet që numri i votuesve të jetë i madh deri në orën 19:00.”
Katër të shoqëruar në Malishevë
Në Malishevë, katër persona janë shoqëruar në Polici, pasi njëri prej tyre u kap me fletëvotim në dorë jashtë qendrës së votimit, duke u treguar qytetarëve se si duhej votuar.
Tre të arrestuarit e tjerë po merren në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa prokurori që ka marrë këtë rast ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do të ngrejë aktakuzë.
Kryeprokurorja Laura Pula e ka konfirmuar lajmin për TCH dhe ka thënë se janë duke e trajtuar dhe shumë shpejt do të shohin nëse personi me fletëvotim ishte pjesë e ndonjë përpjekjeje për manipulim, apo thjesht vetëm për të informuar qytetarët.
Prishtinë, pjesëmarrja u rrit në mesditë
Kanë preferuar mesditën qytetarët e Kosovës për të shprehur vullnetin përmes votës. Ndërsa rrugët e Prishtinës përgjatë kësaj të diele kanë qenë të qeta për një ditë zgjedhjesh. Në qendrat e votimit, ndryshe nga orët e para të mëngjesit kur votuesit kanë qenë të paktë, pjesëmarrja e tyre është rritur në mesditë.
Prishtinasit deri më tani kanë vlerësuar procesin. “Mirë është, mirë. Nuk ka ngecje, çdo gjë në rregull. Të fitojnë ata që e meritojnë”, u shpreh një votuese. “Gjithçka është sipas standardeve dhe le të fitojë më i miri”, tha një tjetër.
Të mirë e ka vlerësuar procesin edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një prononcim për Top Channel. “Sa i përket procesit konsideroj se po rrjedh normalisht. Ndoshta kemi ndonjë pengesë të vogël teknike, por jo ndonjë ngjarje që ia vlen të theksohet”, tha Daka.
Kryetarja e KQZ-së ka sqaruar edhe shqetësimin në rritje për shpërndarjen e një numri më të vogël fletësh sesa votues kanë vendvotimet.
Ajo tha se kjo është vendosur mbi bazën e një urdhëri të mëparshëm të institucionit që ajo drejton, kur fletët janë shpërndarë mbi vlerësimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në garat e mëparshme. Por ajo siguroi se në çdo rast që do të kërkohen fletë votimi prej vendvotimeve, ato do t’u shpërndahen.
Në Prishtinë sot ishin si vëzhgues të procesit edhe kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, Lefteri Lleshi, si dhe drejtuesit e KQZ-së së Maqedonisë, të cilët përveç se kanë vlerësuar procesin, evidentuan disa risi të përdorura në Kosovë.
“Është interesante se janë me lista të hapura, ndryshe nga ne në Maqedoni. Është një përvojë paksa më demokratike”, vlerësoi një vëzhgues maqedonas.
“Ne shohim shumë gjëra që duam t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme, siç ishte ngritja e një grupi prokurorësh e policësh brenda KQZ-së. Kjo do ta ndihmonte goxha procesin dhe është një eksperiencë e mirë për t’u përshtatur edhe në vendin tonë”, tha nga ana tjetër Lleshi.
Zhbogar viziton qendrat e votimit
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vizituar disa qendra votimi, një në Prishtinë dhe një në Graçanicë, ku votojnë serbët që jetojnë në pjesën qendrore të vendit.
Zhbogar ka thënë se ndihet i kënaqur për mbarëvajtjen që ka parë gjatë vizitës në këto qendra. Ai ka nënvizuar se nuk ka vërejtur ndonjë problem dhe shpreson që probleme të mos ketë gjatë gjithë ditës.
Zhbogar pret që një numër i madh i serbëve të dalin për të votuar. Sipas tij, në këtë mënyrë do të zgjidhen edhe problemet që ekzistojnë.
Raportimi i incidenteve në zgjedhje
Fushata “Voto dhe Vëzhgo”, organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, edhe në këto zgjedhje ka vënë në dispozicion numrin 500 88, ku qytetarët mund t’i lajmërojnë parregullsitë eventuale që mund të shohin gjatë ditës së votimit.
Deri në orën 12 janë raportuar rreth 4.500 raste, e që vlen të theksohet se 90% e tyre janë raportime pozitive, ndërsa 10% abuzime të ngjashme me vitet e kaluara.
KFOS vlerëson se fushata “Voto dhe Vëzhgo” ka ndikuar që qytetarët të kenë rol më aktiv në zgjedhje.
Top Channel