Nga Enis Sulstarova – Një nga parullat e fushatës zgjedhore në Kosovë është “Tash me Lëvizjen”. Sigurisht që kuptimi i parë i saj është se tani është koha që të gjithë të votojnë e të përkrahin lëvizjen “Vetëvendosje!”. Ndërkaq, fraza përmban edhe një kuptim më filozofik, të cilin me siguri ata që e kanë krijuar e kanë pasur ndërmend kur kanë vendosur ta përmbledhin dhe përçojnë përmes saj kumtin e tyre politik.

Në këtë frazë lidhëza “me” bashkon një koncept të kohës dhe një të hapësirës. Te një ese e Borgesit kushtuar kohës, hasim një shprehje që duket se është çelësi për të rrokur ndërvarësinë e këtyre dy koncepteve: “E tashmja është e pakapshme si pika. Sepse po ta imagjinojmë pikën pa sipërfaqe, ajo nuk ekziston. Të tashmen duhet ta mendojmë si pak të shkuar dhe pak të ardhme. Domethënë se e ndiejmë kohën që kalon”.

Me fjalë të tjera, e tashmja në vetvete është e pakapshme dhe e vetmja mënyrë për ta konceptuar është si një lëvizje nga e shkuara drejt së ardhmes, vetë vetëdija se koha kalon. Në krahun tjetër, lëvizja, si kalim i një sendi nga një pikë në një pikë tjetër, nuk mund të kuptohet pa rrjedhën e kohës. Po të jemi në gjendje ta ndalim rrjedhën e kohës, sendi do të dukej i palëvizshëm, si në një shkrepje fotografike.

Mirëpo, vetë pika e palëvizur në vetvete është një koncept abstrakt, përderisa është pa sipërfaqe dhe vetëm në diçka që lëviz e që bashkon pikat, ajo sendërtohet si pjesë e një të tëre, si vijë, skicë apo projekt. Për ta përmbledhur, kur themi “e tashme”, kemi parasysh kalimin apo “lëvizjen” e kohës nga e shkuara drejt së ardhmes dhe kur themi “lëvizje”, kemi parasysh bashkimin e pikave që ndodh në të tashmen dhe që i jep domethënie secilës pikë abstrakte. Kështu vijmë te kjo formulë: vetëdija e së tashmes nuk mundet pa lëvizjen dhe vetëdija e lëvizjes nuk mundet pa të tashmen.

Si përkthehet në kumt politik formula në fjalë? Duke pasur parasysh kontekstin e Kosovës, çasti i tanishëm është ai kur qytetarët zgjedhin përmes votimit. Zgjedhja bëhet në kontekstin e problematikave ekzistuese dhe me dëshirën se e ardhmja do të jetë më e mirë. Përmirësimi i pritshëm kur realizohet përbën ndryshimin, pra ndryshim pozitiv do të thotë se gjërat kanë lëvizur për mirë.

Kumti i lëvizjes “Vetëvendosje!” është pikërisht ky: qytetarët e Kosovës “tash” mund ta sendërtojnë “lëvizjen” e mirëfilltë të trupit politik me anë të përqafimit dhe votimit të programit të lëvizjes “Vetëvendosje!”. Çdo zgjedhje tjetër nuk do të ishte e mirëfilltë, autentike, përderisa me gjasë do të kishim vazhdimin e po asaj mënyre qeverisjeje të korruptuar dhe të gjorë, nëpër të cilën Kosova ka ardhur deri tani. Do të kishim një “të tashme” të pavetëdijshme, që do t’i mungonte hapja ndaj së ardhmes, një “të tashme” që përsërit të shkuarën.

Në krahun tjetër, lëvizja “Vetëvendosje!” nuk synon tjetër veç bashkimin “e tashëm” të pikave, që në vetvete janë abstraksione, në një projekt domethënës që i jep kuptim e vlerë gjithsecilit prej qytetarëve të Kosovës. Sikurse pika jashtë lëvizjes, edhe individi i shkëputur nga konteksti është abstraksion. Në shoqëri ai pajiset me gjuhë, vetëdije, ndjenja, dëshira, vullnet dhe shpresë.

Pa kontekst shoqëror nuk ka veprim dhe me anë të veprimit ai vë në lëvizje veten dhe të tjerët. Duke vepruar, ai merr përgjegjësi, vetëvendos për veten dhe për të tjerët, për ata që rrojnë dhe ata që do të vijnë pas tij. Lëvizja “Vetëvendosje” e sheh veten në funksion të vetëdijesimit të popullit për “të tashmen” e tij.

Trupi politik nuk është tjetër veçse bashkësia e pikave (individëve) që ka një trajtë dhe që e njeh veten në atë trajtë e përmes asaj trajte. Trupi politik ndërton shtetin si instrument të vetin. Që të kesh instrument, nevojitet qëllimi të cilin ai i shërben, e qëllime ka vetëm një trup politik.

Shteti i ndërtuar në emër të pikave abstrakte, pa lidhje e trajtë, vetëm emrin ka të tillë. Nëse i mungon trupi, atij i mungon edhe lëvizja edhe koha. Shteti kthehet në një skelet që mbahet dhe komandohet nga jashtë, si një marionetë, për realizimin e qëllimeve të trupave të tjerë. Lëvizja e tij është simulim, e nxitur prej fijesh që mezi fshihen për të krijuar iluzionin e autonomisë, kur në të vërtetë ai i bindet heteronomisë.

Lëvizja “Vetëvendosje!” kërkon tash një shkundje të trupit politik, një rizgjim të vetëdijes, një ndërgjegjësim të popullit shqiptar të Kosovës, që ta vendosë veten në kohë e të vendosë tash se i ka ardhur koha e tij. Prandaj, “Tash me lëvizjen ka shpresë”, sepse lëvizja e popullit sot prodhon të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA