Ngrohja globale nxjerr eshtrat e ushtarëve

07/06/2014 00:00

Niveli i rritur i detit po trazon eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në ishujt Marshall. Gjatë konferencës së OKB-së për klimën në Bon, ministri i Jashtëm i ishujve tha se baticat në atë zonë kanë ekspozuar një varr me 26 të vdekur.

Eshtrat me shumë gjasa i përkasin trupave japoneze. Ngrohja globale i ka bërë ujërat në këtë pjesë të Paqësorit të rrisin nivelin e tyre më shpejt sesa mesatarja globale, ndryshime që në mënyrë të veçantë prekin ishujt Marshall.

Baticat e sivjetshme pranverore, nga shkurti deri në prill, kanë shkaktuar jo vetëm përmbytje, por kanë gërryer gjithashtu tokën e zakonshme, duke shqetësuar deri edhe të vdekurit, thonë zyrtarët lokalë.

29 njësitë koralore që përbëjnë ishujt në fjalë janë strehë e gati 70 mijë personave. Koralet formuese të këtij zinxhiri ishujsh janë tepër të ndjeshme ndaj ndryshimeve në ujin e detit, të cilat kërcënojnë jo vetëm mbrojtjen e tyre, por sipas autoriteteve janë duke gërryer edhe rrugët, ndërsa kripa e bën tokën jopjellore.

Sfida e re e mbërritur prej tyre është edhe më e zymtë. “Deti po nxjerr trupat nga varrët dhe kjo është shumë e rëndë”, tha ministri Tony De Brum në konferencën e klimës.

Ishujt Marshall u pushtuan nga japonezët gjatë Luftës së Dytë Botërore derisa forcat amerikane i përzunë prej andej. Në vitet pasuese, ato u përdorën për dhjetëra teste të armëve bërthamore, ndërsa tani, sipas liderëve politikë, po përballen me një kërcënim ekzistencial nga ngrohja globale dhe ujërat që i rrethojnë.

Top Channel