Institucionet përgjegjëse për zgjedhjet i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që rreth 1 milionë e 800 mijë kosovarë të mund të votojnë të dielën për Parlamentin e ri.

Presidentja e Kosovës përmes një adresimi publik ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që dalin në zgjedhje, ndërsa i ka ftuar të gjitha subjektet politike dhe institucionet kompetente për një proces të qetë dhe demokratik zgjedhor.

“Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën kur të gjithë Ju, qytetarë të barabartë të këtij vendi do të vendosni për të ardhmen e shtetit, për të ardhmen tuaj, një e drejtë themelore dhe e garantuar. Zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit duhet të kenë vulën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të zgjedhjeve që do të përcaktojnë pjekurinë e shoqërisë tonë gjithëpërfshirëse, ku secili qytetarë, në cdo cep të vendit do të ketë mundësinë që të thotë lirshëm fjalën e tij”, ishte mesazhi i presidentes Atifete Jahjaga.

Presidentja kosovare ka takuar të shtunën gjatë ditës të gjithë krerët e institucioneve të sigurisë për t’u siguruar edhe njëherë se e diela do të jetë ditë e menaxhuar mirë edhe në aspektin e sigurisë, por edhe në atë të ruajtjes së votës.

Pas takimit me Presidenten, krerët e institucioneve të angazhuara në mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë deklaruar për Top Channel se janë në gjendje gatishmërie për të siguruar që procesi zgjedhor të jetë i rregullt.

Valdete Daka, kryetare e KQZ: Ne siguruam presidenten se të gjitha institucionet janë të gatshme, konform kompetencave të tyre, kështu që besoj që cdo gjë do të shkojë në rregull dhe i uroj qytetarëve një ditë të mbarë.

Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë: Policia e Kosovës, në koordinim me institucionet e tjera. Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që ky proces në aspektin e sigurisë të kalojë pa asnjë problem.

Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor: Kemi caktuar kujdestarët në shtatë qendrat e gjykatave themelore

Shukri Sylejmani, kryetar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa: PZAP është i mobilizuar në shkallën më të lartë. Shpresojmë që gjithcka të shkojë mbarë dhe numri i ankesave të jetë i vogël, një dëshmi që në Kosovë u zhvilluan zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Edhe nga Prokuroria e Shtetit kanë konfirmuar për Top Channel se të dielën do të jenë të angazhuar 100 prokurorë kujdestarë të cilët do të jenë të gatshëm të ngrënë padi ndaj secilit që mund të gjendet duke dëmtuar procesin zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të vëzhgohen nga rreth 37 mijë vëzhgues, prej tyre rreth 350 janë nga Bashkimi Europian dhe ambasadat e huaja të akredituara në Prishtinë.

Në zgjedhje pritet pjesëmarrje masive edhe e serbëve. Partitë kryesore serbe kanë dalë në këto zgjedhje me një listë të përbashkët të quajtur, “një komb,një listë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA