
Partia ekstremiste britanike UKIP po kërkon më shumë përfaqësues në Dhomën e Lordëve pas performancës së saj në zgjedhjet evropiane.
Në një intervistë për mediat lokale, përfaqësuesit i UKIP, Lord Pearson akuzoi qeverinë për një lojë të dyshimtë, pasi nuk i garantoi partisë përfaqësime të tjera në këtë seksion të Parlamentit.
Koalicioni u zotua për një politikë që i jep UKIP-it një prani më të madhe në Dhomën e Lordëve, tha ai. Por pala qeveritare bëri të qartë se nuk ka ndërmend të japë më shumë poste.
UKIP aktualisht ka tre përfaqësues në këtë Dhomë, të gjithë dezertorë nga konservatorët.
Në një letër dërguar Zyrës së Kabinetit, Lord Pearson u shpreh se dështimi i qeverisë në dhënien e anëtarësisë në Dhomën e Lordëve për UKIP përbën një sjellje që e bën klasën politike shumë jopopullore me qytetarët.
Pearson në letrën e tij vlerësoi se, rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që i nxorrën në krye me 27.5 për qind të votave, e bëjnë pozitën e UKIP edhe më të fortë se më parë.
Lideri i kësaj partie, Nigel Farage, që i ka bërë peticion kryeministrit Cameron për më shumë përfaqësim në Dhomën e Lordëve në të kaluarën, pritet të organizojë tani fushatën e partisë në këtë drejtim.
Në marrëveshjen e koalicionit, qeveria ra dakord që Lordët të caktohen në mënyrë që ta bëjnë Dhomën e Lartë të reflektojë mbi ndarjen e votave të siguruara nga partitë në zgjedhjet e fundit.
Një analizë e kryer nga Universiteti i Londrës sugjeron se UKIP-it do t’i duhen 23 poste shtesë për të përmbushur zotimin e saj.
Top Channel