SHBA, tjetër tragjedi në kampuse

06/06/2014 00:00

Policia në qytetin amerikan të Siatëllit ka vlerësuar guximin e një studenti që çarmatosi një person të armatosur që vrau një vetë dhe plagosi tre të tjerë.

Studenti iu vërsul personit të armatosur në kampusin universitar teksa ai përpiqej të rimbushte armën, deklaroi policia, për të shtuar se për të bllokuar agresorin u përdor dhe spraj paralizues.

Autoritetet policore nënvizuan se veprimi i studentit dhe i moshatarëve të tjerë që i erdhën në ndihmë parandaloi një tragjedi që mund të kishte kapur përmasa më serioze.

Personi i dyshuar si autor i masakrës është identifikuar si Aaron Ybarra, 26 vjeç, i cili tashmë ndodhet nën kontrollin e policisë.

Autoritetet lokale deklarojnë se ai po hetohet për vrasje dhe saktësojnë se ai nuk është student i kampusit dhe se ka vepruar i vetëm. Gjithashtu, raportohet se ai mbante një armë të tipit ‘shotgun’ dhe një thikë përpara se të hapte zjarr nëpër kampur.

“Por pa ndërhyrjen e studentëve të kampusit ngjarja do të kishte qenë edhe më tragjike”, deklaroi zëdhënësi i policisë së Siatëllit, Paul McDonagh në një konferencë shtypi.

Ndërsa drejtori i kampusit universitar, Daniel Martin deklaroi se studentët që neutralizuan personin e armatosur vepruan pa u shqetësuar për jetën e tyre për të shpëtuar jetët e tjera.

“Ne jemi një komunitet dhe na dhimbset jeta e të tjerëve. Ata që vepruan kishin parasysh këtë”, tha zoti Martin.

Top Channel