Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi kërkon mandatin e tretë si kryeministër i Kosovës, duke shpalosur në një fushatë të gjatë atë që e ka cilësuar si misionin e tij të tretë për Kosovën, pas lirisë dhe pavarësisë, shndërrimin e saj në një vend të zhvilluar.

Në ditën e parafundit të fushatës, nga Skënderaj, bastion i PDK-së, Thaçi flet  në një intervistë për Top Channel për prioritetet e këtij misioni.

“Misioni i ri është Kosova, qytetari pa dallim partiak, zhvillimi ekonomik, krijimi i 200 mijë vendeve të punës, i fondit të punësimit 1.5 miliardë euro, 500 milionë nga i cili do investohen për bujqësinë, si dhe rritja e mirëqënies sociale dhe e rrogave gjatë mandatit 4-vjeçar”, deklaron Thaçi.

Programi, që ndër të tjera planifikon fondin e punësimit dhe 200 mijë vende të reja pune, sipas Thaçit është i shkruar kudo në Kosovë. “Programi ynë është shkruar kudo në Kosovë, nga kontaktet me fermerë, me bujq, punëtorë e të papunë. Ne i kemi shpallur luftë papunësisë dhe do ta fitojmë këtë betejë. Jemi zotuar se për çdo qytetar që punon 3 hektarë tokë do të ketë 300 euro. Nuk do lëmë tokë të djerrë në tërë Kosovën”, nënvizon Thaçi.

Në një kohë që të gjithë rivalët politikë janë shprehur kundër një koalicioni paszgjedhor me PDK-në, kreu i kësaj partie përgjigjet se aleancën kryesore e ka me qytetarin, por thotë se do të bashkëpunonte me qendrën e djathtë.

“Nuk pres prej oponentëve të më lavdërojmë, por ata po tregojnë mirëkuptim se rezultati i zgjedhjeve do të jetë i thellë në favor të PDK-së. Disa kanë paralajmëruar që tani dorëheqjet për shkak se presin humbjen. Ne si PDK presim të fitojmë mbi 40 deputetë në Kuvend. Koalicioni kryesor është ai me qytetarin, por do punojë me partnerët e qendrës së djathtë”, thekson Thaçi.

Gjatë qeverisjes së fundit, kryeministri Thaçi ka qenë nismëtar i mbledhjeve historike me qeverinë e Shqipërisë dhe premton se ky bashkëpunim do të forcohet në mandatin e ardhshëm.

“Ne do bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyer me kryeministrin Rama, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Kemi afirmuar bashkëpunimin institucional dhe kam besim se do bëjmë lëvizjet e duhura në fushën e integrimit dhe për të ardhmen e kombit tonë”, shton më tej Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA