Kombet e Bashkuara janë të interesuara që fati i personave të zhdukur në Kosovë të zbardhet. Edmond Mulet, drejtues i Departamentit për Operacione Paqësore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka vizituar vendin ku ndodhet varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në të cilën janë varrosur shqiptarët nga Kosova.

“Është një vend i trishtueshëm. Është një skenë krimi. Por puna këtu do të vazhdojë dhe ne mbështesim çdo punë të përbashkët, me bashkëpunim të thellë. Është me rëndësi që familjet e viktimave të gjejnë të dashurit e tyre dhe ne inkurajojmë që puna këtu të jetë transparente, gjithnjë duke menduar për viktimat dhe familjet”, ka deklaruar Mulet.

Varreza masive është hapur në kërkim të të paktën 250 deri në 400 personave. Lokacionet e tjera janë duke filluar me përgatitjen e terrenit. Forcat serbe kanë varrosur shqiptarët në Serbi për të fshehur gjurmë në një kënetë, e cila më vonë u bë gurthyes dhe mbi të u ndërtuan objekte.

Zyrtarët serbë kanë premtuar se do të punojnë deri në fund për zbardhjen e çdo pjese në këtë lokacion. “Kemi gjetur 37 mbetje mortore në këto lokacione. Do të vazhdojmë punën tërë qershorin dhe në lokacionet e tjera. Do të punojmë edhe më gjatë. Do të punojmë bashkë me përfaqësuesit e EULEX-it, delegacionin nga Prishtina, Kryqin e Kuq, komitetin ndërkombëtar për të zhdukurit dhe të gjitha palët e tjera”, ka thënë Veljko Odalloviç.

Për një pjesë të viktimave tashmë dihet se prej nga janë dhe në cilën zonë të Kosovës janë marrë nga forcat serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA