Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Një sasi rekord kokaine është bllokuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi në portin e Tivarit, me destinacion Shqipërinë.
Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë, e fshehur në kutitë e bananeve. Policia malazeze bën të ditur se droga është gjetur në një nga tre konteinerët që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë.
Mësohet se lënda narkotike ishte e ndarë në 223 pako dhe se vlera e llogaritur nga shitja e saj arrin deri në 12.5 milionë euro. Sipas drejtorit të Autoritetit të Doganave malazeze, Vladan Jokoviç, konteineri është dërguar nga kompania “Vimtikorp SA”, nga Ekuadori, ndërsa marrësi ishte kompania shqiptare “Rrapo”.
Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, kompania “Rrapo”, me qendër në Fier, është në pronësi të Nazike Rrapajt dhe ka si aktivitet import-eksportin me shumice dhe pakicë të frutave, perimeve dhe produkteve ushqimore. Top Channel ka tentuar të kontaktojë me numrin e telefonit të paraqitur në dokument, por ai nuk ekzistonte.
Ndërkaq, të kontaktuar në telefon nga Top Channel, përfaqësuesit e kompanisë “Vimtikorp” shprehin habinë për këtë ngjarje, ndërsa deklarojnë se vetëm pak javë më parë ata kanë sjellë një tjetër ngarkesë në Shqipëri, sërish për kompaninë “Rrapo”.
“Kjo nuk është hera e parë, në kemi sjellë disa konteinerë edhe disa javë më parë në Shqipëri. Ne eksportojmë në shumë kompani në botë dhe kompania “Rrapo” nuk është e vetmja tek e cila ne eksportojmë. Kontaktet e para i kemi vendosur 6 apo 8 muaj më parë, kur kemi biseduar lidhur me detajet e kontratës, ku na kanë thënë që neve na duhen 2-3 konteinerë në javë. Por ne kemi dërguar 1 ose 2 konteinerë, jo çdo javë, por në mënyrë sporadike”, deklaron kompania ekuadoriane.
Nga ana e tjetër, drejtuesit e Policisë së Shtetit po shkëmbejnë informacione me homologët e tyre malazezë për të zbardhur gjithë skemën e këtij trafiku, i cili rezultoi me bllokimin e një prej sasive më të madhe të kokainës në Malin e Zi.
Top Channel