Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka zhvilluar të mërkurën fushatë në qytetin e Prizrenit që njihet edhe si Jeruzalemi i PDK-së.

Ai ka thënë se kërkon sërish mbështetjen në Prizren, pasi tha se i realizoi premtimet për qytetin që tashmë ka Universitetin vet: “Ne përsëri do të fillojmë Misionin e Ri, misionin e zhvillimit ekonomik sepse e kemi dijen, e kemi eksperiencën, e kemi guximin dhe jemi dëshmuar në vendimmarrje. Tashmë ne do të vazhdojmë pas 8 qershorit implementimin e projekteve tona”.

Thaçi u shpreh i bindur se koalicioni që ai udhëheq do t’i fitojë mbi 40 deputetë në zgjedhjet e 8 qershorit. Thaçi tha se ndër vendimet e para të legjislaturës së re do të jetë vendimi për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.    

LDK, fushatë në Lipjan

Pretendenti për postin e kryeministrit, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, është shprehur para qytetarëve të Lipjanit se ka ardhur radha që partia e tij të qeverisë vendin.

“Ne do të fitojmë sepse këta që e kanë udhëhequr Kosovën deri më tani e kanë sunduar sepse po thonë që është qeverisje, por qeverisja nuk është në këtë formë, ata do të shkojnë në opozitë më datën 8 qershor dhe më 9 qershor do të agojë qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Mustafa.

Mustafa ka thënë se qeverisja e LDK-së nuk do të bëjë dallime në komuna varësisht nga kush qeverisen, por do t’i trajtojë të gjitha barabartë.
 
VV, takime në Gjilan

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka kritikuar në Gjilan qeverisjen e deritanishme e cila sipas tij ka bërë që Kosova të ketë sindikata pa punëtorë e punëtorë e spitale pa shërim.

“Me largimin e kësaj qeverie krijohet mundësia për shërim me qeverinë e Vetëvendosjes, fitohet garancia për shërim. Ne nuk duam thjesht fitore të Vetëvendosjes, ne duam ndryshim të Kosovës. Mirëpo për ndryshim të Kosovës duhet të fitojë Vetëvendosja dhe numri 35”, u shpreh Kurti.

Kurti ka thënë se me qeverisjen e Vetëvendosjes do ta ndihmojnë bujkun, zejtarin dhe çdo prodhues vendor.
 
AAK, fushatë në Klinë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në Klinë se një qeverisje pa korrupsion do t’i mundësojë atij të realizojë shumë më shumë projekte për vendin.

“Nëse qeverisim pa korrupsion, do fitojmë para’ për Kosovën. Paratë që i ha korrupsioni, sot i kishim pas për projekte. Për shembull për ujin e pijes. Duhet qeverisur në Kosovë me më pak luks qeveritar, jo mos të dijë sa janë zv/ministra, sa herë udhëtohet, por me një farë llogarie bëhen do punë”, theksoi Haradinaj.

Duke kursyer nga lukset e qeverisë, Haradinaj u ka thënë banorëve të fshatit Poterq të Klinës se do t’ua sjellë ujin dhe shumë projekte të tjera.

AKR në Kamenicë

Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli u ka premtuar banorëve të Roganës në Kamenicë se do ta lidhë këtë pjesë të vendit përmes autostradës me Prishtinën dhe Tiranën.

Pacolli ka thënë se pjesa lindore e Kosovës është lënë anash nga gjitha qeveritë, ndërsa ai tha se nëse i fiton zgjedhjet do t’i kushtojë vëmendje të posaçme kësaj ane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA