Policia e Shtetit ka vënë në pranga “të katërtin e Divjakës”, personin, gjurmët e gishtave të së cilit ishin gjetur në pakot e hashashit të bllokuara rreth një muaj më parë, pranë avionit të drejtuar nga Giorgio Riformato.
Burime nga Policia bëjnë të ditur se i arrestuari është Kleviol Ahmetaj, banues në qytetin e Lushnjës. Sipas të njëjtave burime mësohet se Ahmetaj njihej si person problematik në këtë qytet dhe me precedent të mëparshëm kriminal.
Në 2008 ai është prangosur pas një denoncimi për përdhunimin e një të miture, dhe ka qenë shoqëruar disa herë në polici për përdorim të lëndëve narkotike.
Paraprakisht dyshohet se Kleviol Ahmetaj, së bashku me Aurel Pupën, po nga qyteti i Lushnjes, kanë paketuar 460 kg e kanabisit, që ishte marrë nga Saimir Bajrami me qëllim transportimin e kësaj sasie droge për në Itali, me anë të avionit të drejtuar nga italiani Giorgio Riformato. Por plani i tyre dështoi pasi avioni u dëmtua gjatë uljes në plazhin e Divjakës.
Pas prangosjes së Ahmetajt, shkon në 4 numri i personave të arrestuar ndërsa mësohet se të dyshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë dhe disa persona të tjerë, ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar hetime.
Top Channel