Me rreth 1200 tituj të rinj, të martën në Prishtinë nisi edicioni i 16 i Panairit të Librit.

Në hapjen zyrtare ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila ndër të tjera tha se kalendarin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e bëri politika, por njerëzit e kulturës.

“Nuk ka autorë të Prishtinës dhe autorë të Tiranës, por ka letërsi shqipe dhe letërsi të përkthyer në shqip”, deklaroi zonja Kumbaro.

Kameron Goranci, drejtor i departamentit të kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, si mbështetës kryesor të Panairit të Librit, premtoi përkrahje të vazhdueshme duke i konsideruar ngjarje të tilla si prioritete për Ministrinë.

Në mesin e 100 botuesve, në këtë edicion, prezantohet edhe shtëpia botuese SARAS, që ndër të tjera, sjell për lexuesit edhe katër tituj të rinj si publicistikë, kujtime për të ndjerën Vaçe Zela e një grup satirash nga skenaristi i spektaklit “Portokalli”, Jani Duri.

Panairin do ta përcjellin një sërë aktivitetesh të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore.

Panairi i Librit do të mbahet nga 3-8 qershor 2014 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Gjatë këtyre ditëve, organizatorët presin që panairi të vizitohet nga 35 mijë vizitorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA