Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka bërë fushatë në Ferizaj ku ka premtuar ndërtimin e spitalit rajonal të këtij qyteti, në vlerë prej 20 milionë euro.

Kryeministri në detyrë tha se tashmë ka marrë vendim që me datën 10 qershor të këtij viti të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup që kalon nga Ferizaj.

“Sot sjell vendimin këtu në Ferizaj për ndërtimin e spitalit rajonal 20 milionë euro që do të jenë investime nga qeveria e Kosovës. Ky spital do të fillojë së ndërtuari menjëherë me rishikimin e buxhetit dhe janë pikërisht këta njerëz që i keni këtu që kanë lobuar, që kanë punuar dhe që kanë nxitur vendimin e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e spitalit regjional 20 milionë euro”, tha Thaçi.

Ndërkohë, të martën gjatë ditës, në selinë e PDK-së kanë aderuar dhjetëra anëtarë të rinj.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë gjatë një vizite tek shoqata e të verbërve se do të bëjë maksimumin për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Konsideroj që në nivel të vendit duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të zhvillojmë politika të cilat do të zgjidhin probleme të këtij komuniteti që është komunitet i barabartë me Kushtetutë dhe me ligj dhe me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me shumë fusha, me fushën e arsimit, me fushën e punësimit, me fushën e urbanistikës, me fushën e infrastrukturës, edhe me fushën e integrimit në shoqëri”, u shpreh Mustafa.

Sipas Mustafës, personat me aftësi të kufizuara nuk duhet konsideruar si njerëz që kanë nevojë për ndihmë, por njerëz që duhet tu realizohen të drejtat e tyre.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është shprehur i bindur në Klinë se subjektit të tij po i bashkon shumë qytetarë që deri tani kanë qenë të papërcaktuar.

Gjatë shpalosjes së programit qeverisës të Vetëvendosjes, Kurti ka thënë se qeverisë aktuale po i vjen fundi: “I kanë mbetur edhe 100 orë kësaj qeverie. E kur shkon kjo qeveri, atëherë nis shteti. Deri tani kemi pasur qeveri shumë dhe pak shtet. Kurse, pas 8 qershorit do të kemi pak qeveri e shumë shtet”.

Kurti ka thënë se diferenca për fitoren e Vetëvendosjes po zvogëlohet dhe momenti i ndryshimit të madh, sipas tij, po afrohet.


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar rivalët e tij nga PDK-ja dhe LDK-ja për mos shfrytëzimin e resurseve që ka Kosova për ta zhvilluar vendin.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se me programin e tij parashihet fundi gjendjes së deritanishme: “Përse AAK 44 drejtimi i ri, e jo Thaçi e Mustafa ose të tjerë. Thaçi është shtatë vite kryetar qeverie, shtatë vite qymyri ynë është po aty ku e kemi, shtatë vite s’ka investim me aktivizu qymyrin, pra nuk prodhohet energji shtesë, s’ka kapacitete tjera të energjisë, ose nuk është shfrytëzuar qymyri për derivate”.

Duke folur për Isa Mustafën, Haradinai ka thënë se ai që ka dështuar me Prishtinën dhe nuk mund të bëjë më shumë për Kosovën.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë në Mitrovicës se me programin e tij qeverisës, Trepçën ta bëjnë kompani me vlerë 10 miliardë euro, pa investuar asgjë nga buxheti i Kosovës.

Plani për rimëkëmbjen e Trepçës, sipas Pacollit do të mundësojë hapjen e 15 mijë vendeve të reja të punës.  

Pacolli i ka akuzuar partitë e tjera se ia kopjuan planin për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi sipas tij, qysh më 2007, AKR ka paraparë krijimin e fondeve dhe zhvillimin ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA