Qeveria e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e ndërtimit të autostradës së re, që lidh Prishtinën me Shkupin.

Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka”, që ka ndërtuar edhe “Rrugën e Kombit”, që lidh Kosovën me Shqipërinë, është përzgjedhur nga komiteti ndërministror i Qeverisë për të ndërtuar edhe autostradën e re, që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka njoftuar të mërkurën kabinetin qeveritar për përgatitjet, për fillimin e zbatimit të projektit të dytë më të madh në fushën e infrastrukturës rrugore.

“Komisioni Ndërministror ka arritur që, ato çështje që janë sqaruar brenda këtij afati kohor, t’i aprovojë të tëra dhe të autorizojë autoritetin kontraktues, në këtë rast Ministrinë e Infrastrukturës, për përfshirjen në kontratën përfundimtare dhe për nënshkrimin e kontratës. Mund të informoj kabinetin, i nderuar kryeministër, se Komisioni Ndërministror ka përfunduar punën e vet dhe ka përmbyllur procesin, ndërsa kontrata tashmë është e gatshme për nënshkrim”, tha Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka folur për ecurinë e deritanishme të fushatës, ndërsa ka falënderuar të gjitha partitë për kulturën e treguar gjatë këtij procesi elektoral.

“Pres që edhe të shtunën e të dielën të kemi një proces të qetë, ndërsa të dielën të kemi një votim të mirëfilltë, duke respektuar të gjithë vullnetin e plotë, vullnetin e qytetarëve të vendit. Kosova të dëshmohet edhe njëherë fuqishëm, se po konsolidohet dhe forcohet si shtet, me të ardhme të sigurt perëndimore dhe për të vazhduar me hapat tonë të mëtejshëm për integrimet në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe miqësinë tonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Kabineti qeveritar ka ndarë 18 mijë e 620 euro buxhet shtesë, për stafin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për punën e tyre jashtë orarit gjatë procesit zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA