Vonesa e RTSH, shkak tenderi i Pollos

03/06/2014 00:00

Edhe pse kanë kaluar tetë muaj, Komisioni i Medias dhe Arsimit ende nuk ka rënë dakort për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Drejtues. Opozita nuk ka pranuar sërish formulën çka ka sjellë edhe debate.

“Nuk ka artificë proceduriale që mund të mbajë peng vullnetin e një maxhorance. Mund të duket si deklaratë politike, por është deklaratë përtej politikës. Ju mund të vazhdoni të sillni artifice proceduriale, por e keni gabim. Dhe unë e di shumë mirë, po bëj edhe unë një deklaratë sic bëni ju nga mëngjesi deri në darkë, që në 16 qershor të vitit të ardhshëm ju do na tregoni me gisht ne si përgjegjës që nuk kemi qenë në gjendje të bëjmë kalimin nga transmetimet analoge në transmetime dixhitale”, tha deputeti socialist Musa Ulqini.

Nënkryetari i Komisionit të Medias dhe Arsimit Alfred Peza i cili ka drejtuar këtë seancë tha se arsyeja e vërtetë e kësaj zvarritje lidhet me  tenderin prej 23 milion eurosh  që ka zhvilluar ish-ministri i Inovacionit, sot kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo.

“Televizioni publik shqiptar i kishte nisur procedurat e kalimit të rrjetit analog në rrjet numerik nga firma që kishte fituar tenderin. Me ardhjen e qeverisë tuaj ky tender u ankimua në gjykatë”, tha deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

“Është zoti Pollo ai që ka firmosur 23 milion eurot e këtij tenderi dhe për herë të parë po e them edhe publikisht, është kjo arsyeja që ju bllokoni reformën në RTSH. Kjo është arsyeja që ju bllokoni prej 8 muajsh reformat në RTSH”, tha deputeti Peza.

Pas kësaj deklarate deputetët e opozitës kanë braktisur Komisionin. Mbi ish-ministrin e Inovacionit Genc Pollo i cili ka kryer një tender prej 23 milionë euro për dixhitalizimin e Radiotelevizionit Shqiptar duke shkelur procedurat e tenderimit rëndon një padi penale në prokurori e dorëzuar nga Taulant Balla dhe Alfred Dalipi.

Top Channel