
Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur edhe një herë qendrimin e tij se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian i shërben sigurisë së kontinentit po aq sa i shërben Ballkanit integrimi në BE.
Duke e lidhur këtë me rritjen e përkrahësve të forcave ekstremiste në zgjedhjet për Parlamentin Europian, kryeministri Rama tha se ngurimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë është shprehje e pamundësisë së BE-së për të parë jo më larg se zgjedhjet e ardhshme.
“Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor, do të kishte patur më pak konflikt politik, do të kishte patur më pak tundim për të kthyer në konflikt gjënë, që të pengojmë statusin dhe të themi ja ishin këta, këta janë të paaftë e të tjerë e të tjerë. Do të kishim patur shumë më tepër mundësi për të shkuar përpara në rajon në disa aspekte”, u shpreh Rama.
Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm cështje e shteteve aspirante për të hyrë në bllok por edhe atyre që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian.
“Nuk janë vetëm vendet që aspirojnë të bashkohen por edhe ata që janë brenda bllokut. Siguria e tyre afatgjatë, mirëqenia e qytetarëve të tyrevaret nga një kontinent në paqe dhe harmoni. Ky ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse ne besojmë tek Europa, tek e ardhmja e qytetarëve të saj dhe jo për një pjesë të kontinentin por në tërësi”, deklaroi ambasadori Arvizu.
Top Channel