Politika, bashkë për integrimin

03/06/2014 00:00

Kur vjen fjala te integrimi, palët politike në Shqipëri kanë të njëjtin qëndrim, të paktën në retorikë. Mazhoranca dhe opozita në komisionin parlamentar të integrimit kanë folur me të njëjtën gjuhë, se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat.

Në paraprirje të rekomandimit të Komisionit Europian për statusin, bashkarisht palët kanë inicuar edhe hartimin e një ligji të ri për monitorimin e procesit të integrimit nga Kuvendi, pasi ligji aktual daton në 2004 dhe neni i tij i parë është synimi i nënshkrimit të MSA-së.

“Në korrik ligji i vjetër bën 10 vjet dhe një ligj i tillë tregon që nuk ka gjetur zbatim. Që në nenin 1 të tij kuptohet se ai ka pushuar se funksionuari, sepse flet për procesin e MSA, në një kohë kur të gjithë shpresojmë që në fund të muajit Shqipëria do të jetë me status kandidat”, deklaroi nënkryetari i komisionit, Taulant Balla.

“Me marrjen e statusit, që është i vonuar sepse për ne është një vendim i kryer e që duhej marrë me kohë, Shqipëria do kalojë procese të tjera skrutinimi e monitorimi, që do të thotë se kur të vijë koha e tyre Kuvendi duhet të jetë më i përgatitur se sot. Prandaj, le ta mbështesim këtë ligj”, tha nga ana tjetër kryetarja e komisionit, Majlinda Bregu.

Ligji i ri, për të cilin është ftuar shoqëria civile të marrë pjesë në dhënien e mendimit, synohet të miratohet brenda këtij sesioni. Mesazhi i bashkëpunimit të palëve nga komisioni i integrimit i paraprin takimit të tretë të nivelit të lartë Shqipëri-BE, i cili do të zhvillohet paraditen e së mërkurës.

Në këtë takim, komisioneri Fyle në Tiranë do të lexojë edhe pjesë nga raporti që do t’u dërgohet vendeve anëtare për t’i orientuar në vendimin e tyre për statusin e Shqipërisë më 23 qershor.

Top Channel