
Pak orë përpara publikimit të raportit të Komisionit Europian, nga Vjena vjen deklarata e përbashkët e 18 vendeve anëtare të Nismës së Europës Qendrore, ku mirëpritet dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.
Kjo deklaratë ka mbyllur punimet e konferencës së vendeve anëtare të CEI-it, kryesimin e së cilës e mban Austria, vend anëtar i BE-së që kohët e fundit është shfaqur aktiv pro statusit të vendit kandidat të Shqipërisë.
“Mirëpresim vendimin pozitiv të Këshillit në muajin qershor për statusin e vendit kandidat Shqipërisë”, thotë deklarata e 18 Ministrave të Jashtem të CEI-t, duke theksuar gjithashtu mbështetjen për vijimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shefi i diplomacisë sonë Ditmir Bushati, i pranishëm në këtë konferencë falenderoi homologët për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë përmes kësaj deklarate.
Artikulimi më i fortë mbështetës nga Vjena në takimin ku ishte i pranishëm edhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, ka ardhur nga Ministrja e Jashtme e Italisë, vend i cili në korrik merr kryesimin e radhës së BE-së si dhe shefi i diplomacisë greke, vendi i të cilit është tashmë kryesues i BE-së.
“Shpresojmë që në qershor Këshilli i Europës të vendosë pro Shqipërisë për dhënien e statusit kandidat. Do të ishte njohja e duhur e reformave dhe vullnetit politik të qeverisë për të shkuar përpara me bindje në rrugën e reformave. Përpara këtij vullneti do të duhet një besueshmëri e BE-së, që të pranojë hapat përpara që po bëhen dhe t’i inkurajojë ato”, deklaroi Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini.
“Greqia ka qenë pozitive dhe inkurajuese që në fillim, që në dhjetorin e kaluar, për dhënien e statusit të kandidatit dhe ne shpresojmë që në mbledhjen e ardhshme këtë muaj Këshill i Ministrave të Jashtëm të vendosë t’i japë statusin e vendit kandidat”, tha Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizellos.
“Nuk flas thjesht për reforma, por për reforma të besueshme, që u sjellin përfitime popujve të këtyre vendeve në gjithë procesin e pranimit dhe jo vetëm në përfundim të tij”, tha Komisioneri Fyle.
“Nëse e shikon rajonin sot, duket se ne jemi në kilometrat e fundit kur armiqtë bëhen fqinjë dhe kjo në sajë të fuqisë transformuese të Bashkimit Europian dhe të politikës së zgjerimit”, tha Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Top Channel