Fushata zgjedhore që zhvillojnë subjektet politike për zgjedhjet e 8 Qershorit, jo vetëm po shkon e qetë, por vlerësohet si më profesionalja deri tani në Kosovë.

Fakti që subjektet politike kanë të përqendruar të gjithë marketingun te liderët e partive, sipas profesorit të psikologjisë, Dashamir Bërxulli, bëhet për shkak se vet liderët e kanë marrë përsipër riskun e rezultateve dhe vet ata po i takojnë personalisht votuesit.

“Mendoj që fushata është intensive. Kjo, në kuptimin që liderët dhe partitë përkatëse politike janë përpjekur, që të marrin kontakte të drejtpërdrejta me votuesit e tyre dhe veçanërisht të synojnë votuesit, që janë ende të pavendosur. Këtë e lejon edhe hapësira gjeografike e Kosovës, ku qytetet dhe qytezat janë afër njëra-tjetrës, ku brenda një pasditeje mund të shkosh në 3-4 qyteza dhe të mbash kontakt me elektoratin. Kjo është parë kohët e fundit, veçanërisht në aktivitetet e liderëve të partive kryesore, të cilët kanë pasur aktivitete intensive”, tha Dashamir Bërxulli, profesor i psikologjisë.

Profesor Bërxulli mendon se, nga pikëpamja e ngjyrave dhe ajo e mesazhit, fushata e këtyre zgjedhjeve ka përparim, në krahasim me fushatat e tjera të zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, ai mendon se fushata e këtyre zgjedhjeve është ndikuar nga fushata e zgjedhjeve të fundit lokale, që u zhvilluan pak muaj më parë.

“Kjo është arsyeja, pse liderët nuk po zgjaten shumë në programet e tyre ekonomike, por janë koncizë, janë të qartë, shprehen me pak fjalë, në mënyrë që mos të konsumohen më tepër, në raport me atë çfarë ka qenë para gjashtë muajsh”, tha më tej Dashamir Bërxulli.

Bërxulli mendon se, në këtë fushatë ekziston një lloj pajtueshmërie në heshtje mes shumicës së subjekteve, që të mos flasin në fushatë për tema të nxehta.

“Kjo është arsyeja, pse motot e tyre kanë të bëjnë me diçka të re, të tipit ‘Kthesa’, ‘Misioni i Ri’, ‘Drejtimi i Ri’, e të ngjashme. Pra, duke i vënë pikë dhe një kapak, asaj çka ka ndodhur më përpara, dhe duke filluar një hap të ri, me forca të reja”, tha Dashamir Bërxulli.

Se sa do të ndikojë kjo qasje e fushatës te votuesit, për t’i nxitur që ata të dalin në zgjedhje më 8 Qershor, sipas Bërxullit mbetet të verifikohet, pasi ende nuk dihet se sa është punuar në strukturat partiake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA