Kryetari i PDK, Hashim Thaçi, ka takuar veteranët e UÇK-së, të cilëve u premtoi mbështetje të vazhdueshme edhe pas miratimit të ligjit të posaçëm për ta. Pikërisht kur foli për ligjin, Thaçi akuzoi kreun e LDK-së, Isa Muustafa, për mos votim të ligjit për veteranët.

“Ata që nuk e votuan ligjin dhe dolën me duar në xhepa jashtë Parlamentit, e tash shëtisin me duar në xhepa nëpër Kosovë dhe lypin vota, thanë që me ardhjen e tyre në pushtet kanë për ta ndryshuar këtë ligj. Unë ju them se, ai ligj është i shkruar me gjakun e luftëtarëve të UÇK. Vetëm duhet të afirmohet dhe të avancohet. Pastaj, t’iu them të drejtën, mos e kini atë merak, sepse as gati nuk janë për të ardhur në pushtet. Fitorja është e jona”, tha Hashim Thaçi, kryetar i PDK.

Në këtë takim, Thaçi kujtoi periudhën e luftës së UÇK, pa të cilën ai tha se, as Shqipëria nuk do të mund të demokratizohej dhe integrohej në NATO, as shqiptarët në Maqedoni nuk do të jetonin më mirë, e as ata të Luginës së Preshevës nuk do të kishin më shumë të drejta, nga sa kanë tani.

Mustafa, takime në Prishtinë
“Nuk luftojmë për pushtet, por për të qeverisur më mirë Kosovën”

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar votat e prishtinasve për të bërë ndryshime në qeverisjen e vendit më 8 Qershor. Mustafa ka thënë se nuk është i etur për pushtet, por sipas tij, vendit i duhet qeverisja e LDK-së.

“Ne nuk pretendojmë të fitojmë në këto zgjedhje, vetëm se Lidhja Demokratike është e etur për pushtet. Ne dëshirojmë që t’i fitojmë zgjedhjet për arsye se, e konsiderojmë që është obligim, është detyrë e LDK-së, është përgjegjësi e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që Kosovës t’i ofrojë një qeverisje shumë më të mirë”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK.

Pretendenti për pozitën e kryeministrit ka thënë se, nëse merr drejtimin e qeverisë, do të formojë një grup të veçantë për bisedime me Serbinë në Bruksel, ndërsa vet do të punojë për zhvillimin e vendit.

Vetëvendosje, takime në Lipjan
Kurti: Në vend të negociatave me Serbinë, bashkim me Shqipërinë

Lëvizja Vetëvendosje është zotuar në Lipjan se, nëse i fitojnë zgjedhjet, do t’i rishikojë privatizimet dhe do të ndalë nepotizmin e klientelizmin.

Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosjen e ndan vetëm një javë nga fitorja, që do ta ndryshojë Lipjanin dhe gjithë Kosovën.

Ai ka thënë se, me Vetëvendosjen në qeverisje, në vend të negociatave me Serbinë do të ketë afrim, integrim e bashkim me Shqipërinë.

AAK, takime në Drenicë
Haradinaj: Qymyri mund të na bëjë superfuqi energjitike

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar të dielën vota në bastionin e PDK-së, në Drenicë. Me këtë rast, Haradinaj tha se Drenica nuk është pronë e askujt dhe ajo nuk duhet të jetë bastion i një partie, por të ndihet si bastion i atdheut.

“Kam punuar që dy vjet, kam qenë në krah të ekspertëve, afër atyre që kanë punuar veç e veç, kemi përgatitur një plan për ta zhvilluar vendin, për të zhvilluar ekonominë. Këtë plan e kam bazuar, jam detyruar ta bazoj, në atë çfarë kemi mundësi. Qymyri jonë mund të prodhojë më shumë dritë, se sa kemi ne sot. Ne mundemi të bëhemi superfuqi e energjisë, energjia është shumë me rëndësi në jetë, në ekonomi, në zhvillim, për gjithçka është me rëndësi. Edhe pasja e një ushtrie të fortë, një policie të fortë, duhet të jesh dikush që ka energji”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Nisma, takime në Suharekë
Limaj: Mendohuni mirë se për kë do të votoni më 8 Qershor

Numri një i “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë në Suharekë, se rivalët politikë shumë shpejt do të binden me fuqinë e subjektit të tij.

“Duke mos na parë neve shumë në televizor, siç dalin ata vetë, duke shfrytëzuar shumë parà për ato spote, me ato skena, kanë menduar që kanë kryer punën. Por, ata se kanë ditur që ne kemi qenë çdo ditë me qytetarët tanë”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

Limaj ka thënë se qytetarët duhet të mendojnë mirë, përpara se të votojnë dikë më 8 Qershor.

AKR në Marec
Pacolli: Në qeverisjen time, paraja publike nuk do të keqpërdoret

Ditën e pestë të fushatës zgjedhore, Aleanca për Kosovë të Re e Behxhet Pacollit e ka shpalosur programin e saj para qytetarëve të mbledhur në fshatin Marec të Prishtinës.

Në tubimin tradicional “Takimet e vendlindjes në Marec”, Pacolli u ka premtuar qytetarëve se, në qeverisjen e tij, paraja publike nuk do të keqpërdoret më, nuk do të shkojë – siç ka thënë ai, – në xhepat e pushtetarëve, por do të shkojë në investime kapitale, që do të ngrejnë mirëqenien e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA