
Lirimi i rreshterit 28-vjeçar Bowe Bergdahl, pas 5 vitesh robërie në duart e talebanëve, u përshëndet nga shumë amerikanë, por fakti që në këmbim të kësaj lirie u falën 5 të burgosur të Guantanamos, ka shkaktuar reagimin e ashpër të republikanëve në Shtetet e Bashkuara.
Senatori John McCain deklaroi se te militantët afganë, të larguar tashmë drejt Katarit, janë “persona të rrezikshmërisë së lartë”, e me tone të ashpra foli edhe kryetari i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Rogers.
Shqetësimi kryesor i tyre është krijimi i një precendenti në negociimin me terroristët.
“Talebanët e liruar mund të jenë përgjegjës për mijëra vdekje, e për më tepër ata ndoshta janë më se të aftë t’i rikthehen luftës”, tha John McCain, senator republikan.
“Me këtë lëvizje të tij, Uashingtoni tani i ka vendosur një çmim të gjithë kërcënimeve të al-Qaeda-s, që kërkojnë haraç”, tha Mike Rogers, kryetar i Komitetit të Inteligjencës, në Dhomën e Përfaqësuesve.
Pyetjet mbi ligjshmërinë e marrëveshjes u ngritën me t’u mësuar lajmi i transferimit të të bugosurve, veprim ky për të cilin administrata Obama nuk i dha Kongresit shumë sqarime.
Por, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel, aktualisht në një vizitë në Afganistan, i hodhi poshtë kritikat, me argumentin se ushtria ishte detyruar të reagonte sa më shpejt për të shpëtuar jetën e ushtarit të fundit, që mbahej peng në këtë vend.
“Ne nuk negociuam me terroristët, – është shprehur ai për NBC TV. – Rreshteri Bergdahl ishte i burgosur lufte, dhe kjo është procedura normale që ndiqet, kur kërkon ta rimarrësh mbrapsht njeriun tënd”.
Lirimi i 28-vjeçarit u realizua pas negociatave disa mujore, të ndërmjetësuara nga qeveria e Katarit. Në bazë të marrëveshjes së shkëmbimit, të ndaluarve që mbaheshin në Guantanamo u ndalohet largimi nga ky vend për të paktën një vit.
Afganistani gjithashtu e kundërshtoi marrëveshjen, me pretendimin se kalimi i të dënuarve një vendi të tretë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Top Channel