
Të mërkurën pritet të miratohet raporti i Komisionit Europian mbi Shqipërinë. Ashtu siç kërkuan vendet anëtare në Këshillin e Dhjetorit 2013, vlerësimi i Komisionit përmbledh arritjet e vendit në fushën e sundimit të ligjit, krimit, korrupsionit dhe trafiqeve në 6 muajt e fundit, duke përsëritur në mënyrë më të qartë rekomandimin e tetorit se vendi përmbush kushtet e nevojshme për dhënien e statusit kandidat.
Dokumenti kalon sipas “proçedurës së shkruar”, që do të thotë se ai quhet i miratuar nga Kolegji i Komisionerëve, në rast se askush prej tyre nuk kundërshton, qoftë dhe pjesërisht, përmbajtjen e raportit deri paraditen e së mërkurës.
Në përfundim të mbledhjes së komisionerëve, dokumenti u shpërndahet vendeve anëtare dhe bëhet publik në Tiranë brenda të njëjtës ditë nga komisioneri Shtefan Fyle, në tryezën e parashikuar të dialogut të nivelit të lartë që shqyrton prioritetet kyçe të mbetura në kuadër të çeljes së negociatave me BE-në.
Në bazë të këtij vlerësimi nga Komisioni, pas shqyrtimit nga përfaqësuesit e vendeve anëtare që mbulojnë Ballkanin, ministrat europianë vendosin në mbledhjen e 23 qershorit në Luksemburg mbi kandidaturën e Shqipërisë dhe ky vendim i kalon për konfirmim samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive në fund të muajit, në datat 26 dhe 27 qershor.
Top Channel