Vetëm pak përpara publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian dhe rekomandimit për statusin e vendit kandidat Shqipërisë, kreu i qeverisë Edi Rama i ka kushtuar këtij argumenti pjesën më të madhe të fjalimit të tij përpara deputetëve socialistë.

Shqipëria meriton të votohet pro në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE më 27 qershor në Luksemburg, ishte ajo që ndër të tjera, deklaroi shefi i qeverisë, pa anashkaluar ndikimin tek vetë BE të rezultatit të zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian ku euroskeptikët morën më shumë terren.

“Le të shpresojmë se përballja direkte me këto forca do të triumfojë. Nuk kemi arsye të dyshojmë në faktin se raport-progresi do të flasë qartë për atë që jemi të vetëdijshëm që kemi bërë në disa muaj, edhe pse kanë mbetur disa prioritete. Ndërkohë, aksioni qeveritar ka qenë i shtrirë në të gjitha fushat dhe jemi të vendosur të bëjmë reforma”, deklaroi Rama.

Duke i mëshuar reformave të kryera, Rama u ndal te krimi i organizuar dhe korrupsioni, që në këta muaj të qeverisë kanë njohur, tha ai, rezultate pozitive, por nuk fshehu pakënaqësinë e theksuar ndaj sistemit të drejtësisë kur tha se, nuk është ai që duhet të jetë.

“Dosje të tjera ish-ministrash në Prokurori”
Rama nxit Prokurorinë të hetojë edhe dosjen e trafikut të drogës

Me paralajmërimim e një reforme të thelle dhe të gjerë në të, kreu i qeverisë edhe njëherë e vuri theksin tek reagimi i prokurorisë për çështje që kjo qeveri ka dërguar mbi tryezën e saj.

“Çështjet që lidhen me zyrtarët e lartë dhe me korrupsionin janë të shumta. Sidoqoftë, në pritje që prokuroria të japë rezultatet e pritura, pasi ka përsëritur se dosje të tjera ish-ministrash po përfshihen në hetime dhe të tjerë zyrtarë të lartë po ashtu do të ndjekin, ne nuk do të rreshtim me procesin e auditimeve të brendshme. Problemet e evidentuara janë të jashtëzakonshme”, theksoi Rama.

Ky paralajmërim i kreut të qeverisë për të tjera dosje ish-ministrash në prokurori, të cilëve nuk ua përmendi emrat, pritet t’i bashkangjitet kallëzimeve penal për ish-ministrin e Mbrojtjes Imami, apo dosjes për abuzimin me skemën e TVSH-së, si dhe ftesës për hetim të Marrëveshjes së Detit, nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha, çështje këto tashmë të bëra publike.

Po ashtu, konkluzionet e komisionit hetimor parlamentar për trafikun e drogës, që sipas Ramës janë serioze, kërkojnë gjithashtu përgjigjen e hetimit të organit të akuzës.

“Edhe këtu dëshiroj dhe vazhdoj të jem shpresëplotë se prokuroria do të bëjë punën e saj, sepse si komision hetimor kushtetues e profesional, komisioni ka hartuar një dokument që nuk e ezauron problematikën duke marrë rolin e prokurorit, por që e përmbush atë në rolin e një grupi deputetësh”, shtoi Rama.

Top Channel