
Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike, deklaroi për mediat pas daljes nga Konferenca e Kryetarëve se në të “u diskutua kërkesa për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në administratën shtetërore”.
“Hetim për ata persona të emëruar që kanë precedentë penalë. I bëmë thirrje mazhorancës t’i lërë lojërat politike për të shmangur debatin mbi emërimet e atyre personave që kanë lidhje me narkotrafikun. Ky është shqetësimi i opozitës”, tha Halimi.
Më tej, ai shtoi se Kushtetuta i jep të drejtë opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare: “Të miratohet komisioni pasi e drejta e ngritjes së komisioneve parlamentare është e drejtë e opozitës sipas Kushtetutës. Opozita është legjitime në kërkesën e saj për të verifikuar veprimtarinë e qeverisë. Qeveria të mos shmanget nga transparenca në mënyrë që të mos implikojë edhe më shumë veten me emërime të tillla që kanë lidhje me narkotrafikun.”
“Nuk duam të dimë nëse janë apo jo të pafajshëm këta persona të emëruar në administratë. Ne nuk po hetojmë personat, por lidhjet e qeverisë me këta persona”, sqaroi Halimi.
Top Channel