Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka shpalosur para qytetarëve të Obiliqit Misionin e Ri, nga ku dhe u premtoi gjithë punëtorëve të Korporatës Energjetike ngritje të re pagash nga 100 euro për secilin vit deri më 2018.

“Tani që kemi vënë themelet e shtetit tonë, ne krerët e PDK kemi vendosur që të punojmë fuqishëm në misionin e ri. Misioni i ri jeni ju. Ky mision ka tri qëllime, hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës, të zhvillimit ekonomik”, deklaroi Thaçi.

Gjatë shpalosjes së programit partiak, Thaçi tha se tashmë ka marrë vendim që prej 1 tetorit të gjithë studentët të mos paguajnë asnjë shpenzim për studime.

Ai tha se në seancat e para të Kuvendit të ri do të miratojë një ligj të veçantë për Obliqin, përmes të cilit do të dyfishohet buxheti i kësaj komune, e cila ndotet nga prodhimi i energjisë elektrike për të gjithë Kosovën.

Mustafa: Vetëm LDK e mund PDK-në

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha në Prizren se vetëm partia e tij e mund PDK-në dhe gjithë aleatët e saj.

“Ne jemi ata që marrim përgjegjësinë që ta qeverisim mirë Kosovën, ne jemi ata të cilët dëshirojmë të vijmë në pushtet me votën tonë. Pata thënë në Prishtinë se e pres me duar në xhepa fitoren e Prishtinës, se kam punuar shumë për Prishtinën, por kam thënë që e pres fitoren me duar në xhepat e mi dhe jo në xhepat e huaj”, deklaroi Mustafa.

Mustafa i siguroi qytetarët e Prizrenit, ardhmëri me qeverisjen e tyre. Lideri i LDK-së tha se ka programin më të mirë të ekonomisë pasi e njohin këtë program dhe nuk ua ka shkruar askush, as një ekspert i jashtëm.

Kurti: Shteti serb, jashtë Kosovës

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bëri fushatë në komunën me shumice serbe të Shtërpcës.

“Me Vetëvendosjen në qeverisje, kurrë më nuk do të ketë zgjedhje në të cilat dikush me dokumente të shtetit armik, që është Serbia, vjen dhe voton këtu për të na minuar neve pavarësinë përbrenda. Pra, ne nuk jemi kundër serbëve, por ne do të jemi gjithmonë kundër Serbisë sepse vazhdimisht ajo është kundër nesh. Pra, nuk ka vend për shtetin e Serbisë në Republikën e Kosovës atëherë kur qeverisë Vetëvendosja”, deklaroi Kurti.

Ai shpjegoi para qytetarëve të Shtërpcës se me Vetëvendosjen në qeverisje, ekonomisë do t’i shtohet prodhimi e shoqërisë barazia.

Haradinaj: Është koha të vendosim vetë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj shpalosi në Klinë programin e tij partiak. “Dikur kemi qenë për të ardhur keq nga të gjithë sepse nuk kemi pasur liri. Të gjithë na përkrahën deri në pavarësi, ndërsa tani ka ardhur koha që të përkahim vetëveten në këtë vend. Ne duhet të vendosim”, deklaroi Haradinaj.

“Programi ynë qeverisës nuk është një dokument vetëm për ditën e zgjedhjeve për të lypur një votë, por është bërë me ndjenjën për t’u ndjerë mirë në ventin tonë”, u shpreh ai.

Për Haradinajn, me qeverisjen e AAK-së qytetarët e Kosovës nuk do të ndihen më të diskriminuar në krahasim me qytetarët e vendeve të tjera të botës.

Pacolli: Të tjerët kopjuan programin tonë
 
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli deklaroi në Istog se vetëm programi i partisë së tij garanton zhvillimin e sektorit privat.

“Ne kemi kohë që kemi në duart tona programin për zhvillim ekonomik, program të cilin na e kopjuan të tjerët. Zhvillimi i sektorit privat ishte qysh në vitin 2007 prioritet i AKR-së. Ata na sulmuan se nuk e kuptonim ekonominë dhe tani na flasin për subvencionime. Ne qysh atëherë kemi folur për sektorin e bujqësisë. Ata thoshin, do Pacolli të bëjë bujq të rinjtë e Kosovës. Shikoni tashti fushatat e tyre”, tha Pacolli.

Ai theksoi se partitë e tjera vetëm mund ta kopjojnë programin e AKR-së, por jo edhe ta zbatojnë pasi sipas tij nuk kanë ekipet e duhura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA