Meta: Të mos pengohet integrimi

30/05/2014 00:00

Në konferencën ndërkombëtare për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha e cilësoi këtë proces një sfidë dhe detyrim të Shqipërisë në rrugëtimin drejt familjes europiane.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se përafrimi i legjislacionit mbetet një sfidë e rëndësishme për Parlamentin, por nevojitet puna e të gjithë aktorëve të politikës.

“Përvoja e suksesshme e zgjerimit të BE-së na mëson se objektivi i aderimit në BE arrihet kur ka konsensus pozitë-opozitë për cështje të rëndësishme dhe për një periudhë afatgjatë. Integrimi është një objektiv kombëtar dhe asnjë parti politike nuk duhet ta pengojë. Përkundrazi, duhet ta mbështesë këtë proces”, deklaroi Meta.

Rama: Ligjet, jo vetëm në letër
BE të na japë statusin, Kosovës lëvizjen e lirë

Ndërsa kryeministri Edi Rama e vuri theksin në zbatimin e legjislacionit, pasi ligjshkrimi dhe ligjzbatimi janë dy çështje të ndryshme.

“Kur themi se Evropa është një destinacion brenda nesh dhe kur kemi përcaktuar integrimin si proces ribashkimi me Evropën, kemi pasur parasysh rritjen e cilësisë së demokracisë së përditshme falë ligjzbatimit”, deklaroi Rama.

Duke e quajtur procesin e integrimit si një instrument unik, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria e meriton marrjen e statusit në qershor, duke theksuar se me një Ballkan që pret tek dera, BE-ja nuk është e sigurtë.

“Të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në BE janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Besoj se ashtu sikundër BE i dha Serbisë hapjen e negociatave duhet t’i japë statusin Shqipërisë dhe lëvizjen e lirë Kosovës. Sepse nuk ka kuptim që të lëviznin të lirë në diktaturë e jo tani që janë të pavarur. Europa e liderëve të sotëm duhet të jetë në lartësinë e këtij besimi që ballkanasit kanë, sepse Ballkani e ka treguar se më të shpejtë arrin luftën se sa paqen”, theksoi Rama.

Sipas ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, pas progres-raportit të 2013 janë hedhur një sërë hapash në përafrimin e legjislacionit, por sipas tij reformimi i sistemit të drejtësisë, e posaçësrisht për Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuse dhe KLD-në mbeten prioritete të ministrisë që ai drejton.

Top Channel