Të premten, në Prishtinë filloi konferenca rajonale e Odave Ekonomike Amerikane, e cila ka për qëllim forcimin e platformës së bashkëpunimi rajonal.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jackobson, tha se është krijuar mendimi se bizneset private janë të lidhura me krimin, ndaj shpreson që të ndryshohet ky mendim.

“E di që ballafaqoheni me sfida serioze, ju që merreni me biznes në Ballkan. Është krijuar një përceptim post-komunist nga njerëzit e thjeshtë, që biznesi privat është disi i keq, që është i lidhur me krimet, por mendoj që ky përceptim ka nevojë vërtet të sfidohet. Kam folur me ju për këtë dhe po ashtu me qeverinë. Të gjithë ne bashkë; Ambasada, Qeveria dhe ju; mund të punojmë që të kemi sukses në këtë drejtim”, tha Tracy Ann Jackobson, Ambasadore e SHBA-ve.

I pranishëm ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

“Besoj se bashkëpunimi mes Odave ekonomike në Rajon mund të çojë në më shumë bashkëpunime ekonomike ndërqeveritare të rajonit, por gjithashtu edhe në sektorin privat, që sjell përfitime rajonale. Ne besojmë se, gjatë viteve, kemi ardhur në përfundimin që, vetëm përmes zhvillimit ekonomik, integrimit dhe punësimit, gjithë rajoni mund të përparojë së bashku”, tha Bernard Nikaj, kreu i MTI.

Pjesëmarrëse në konferencë janë Odat Amerikane nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Qëllim tjetër i rëndësishëm i kësaj konferencë është gjetja e rrugëve të drejta dhe efektive, për promovimin e potencialeve rajonale, si dhe krijimi i një platforme të përbashkët stimuluese, për investimet e huaja në këto shtete.

Kjo është konferenca e dytë e këtij lloji, pas vitit 2012, ku mikpritëse e vendeve të rajonit ishte Shqipëria, ndërsa Serbia po merr pjesë për herë të parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA