Për Ramush Haradinajn, pasi u rikthye triumues nga Haga, kjo është fushata e parë për zgjedhjet parlamentare pas 10 vitesh e ku si atëherë subjekti i tij rikthehet me po të njëjtin numër në fletën e votimit: 44!

Por, lideri i AAK-së nuk ndjen konkurrencë nga mungesa e gjatë për shkak se ata që i quan rivalë kryesorë kanë dështuar sipas tij në drejtimin e vendit dhe të kryeqytetit.  

“Jam në garë me zotin Thaçi që ka dështuar me qeverisjen e vendit dhe me zotin Mustafa që dështoi me qeverisjen e kryeqytetit. Cilësia e qeverisjes do të jetë më e mirë, por nëse qytetarët nuk e mendojnë kështu, do e respektoja vullnetin e tyre”, tha Haradinaj.

Për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë vendit i duhet një drejtim i ri sepse deri tani ka qenë i gabuar: “Jemi të shqetësuar për zhvillimet në ekonomi, rend dhe ligj. Duhet të ndryshojmë drejtim pasi drejtimi që kemi marrë pas pavarësisë ka qenë i gabuar.”

Sipas Haradinajt, programi i AAK-së për drejtimin e ri është i bazuar në llogaritje reale kur premton se do të hapen 200 mijë vende pune dhe se buxheti në vitin 2018 do të arrijë në 3.1 miliardë euro.

Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj, ndryshe nga sa ka deklaruar deri tani, shprehet pro një koalicioni post-zgjedhor me partitë e opozitës dhe pikërisht ato sipas tij duhet ta qeverisin Kosovën.

“Pas zgjedhjeve, subjektet politike bëjnë përpjekje që të zbatojnë atë që i kanë premtuar qytetarëve. Nëse të jepet hapësira për zbatim të politikave zhvillimore, aty vlerësohet kush është blloku i duhur”, tha Haradinaj.

Për Serbinë, AAK-ja do të jetë për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa për veriun Haradinaj premton se do të heqë barrikadat në 100 ditëshin e parë të qeverisë.

E për marrëdhëniet me Shqipërinë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se natyrisht që Tiranës i besohet liderishipi përsa u përket temave shqiptare, por sipas programit të AAK-së dhe kjo forcë politike do të japë kontribut në shtimin e rëndësisë së faktorit shqiptar në Ballkan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA