Zgjedhjet e lira dhe demokratike do të jenë kusht i vazhdimit të mbështetjtes së qeverisë amerikane në Kosovë. Kjo është porosia që ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracy An Jacobson ua ka dhënë liderëve kosovarë në një takim paraditen e së enjtes.

Ndërsa në një ligjeratë të mbajtur pasdite me studnetët e Universitetit të Prishtinës, ambasadorja i inkurajoi ata që t’i kenë pritjet e njëjta.

“Ne si komunitet ndërkombëtar nuk do të pranojmë asgjë më pak se zgjedhje transparente dhe as ju nuk duhet të prisni diçka më pak. Sot paradite ua kam bërë të qartë të gjithëve që për qeverinë time është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të drejtë dhe të mirë, sepse kjo do të jetë tepër e rëndësishme për vazhdimin e angazhimit tonë me qeverinë e Kosovës”, deklaroi Jacobson.

Sipas ambasadores amerikane, është e rëndësishme që votuesit përveç pjesëmarrjes në zgjedhje edhe të denoncojnë problemet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.

Një pyetje që e bëri ambasadoren amerikane që ta hapë disi zemrën para studentëve ishte ajo për takimet me liderët e partive politike në rezidencën e saj. Jacobson tha se nuk ndërhyn në punët e Kosovës dhe se e sheh atë si shtet të pavarur dhe se shtëpia në lagjen Arbëria është vetëm një vend neutral ku politikanët mund të diskutojnë.

“Më pëlqen atmosfera këtu, por me duhte të them që shoh pak kontradikta në këtë mes, sepse ju po flisni për zgjedhje demokratike në të njëjtën kohë që ne shohim politikanët tanë që vrapojnë pas ambasadës amerikane për ndihmë. Pyetja ime është: çfarë bisedoni dhe kur ambasada amerikane do të interferojë më pak në politikën tonë, në mënyrë që të krijojmë mënyrën tonë demokratike të të menduarit”, pyeti studenti.

“Le të flasim për shembull për caktimin e datës së zgjedhjeve. Disa nga politikanët kanë thënë se është mirë të ulen dhe diskutojnë për këtë. Unë ua kam ofruar shtëpinë time si një vend më neutral ku mund t’iu ofroj edhe kafe, e cila me siguri nuk është aq e mirë sa në qytet, por unë gatimin e kam shumë të mirë dhe mëngjesin e kemi po ashtu shumë të mirë. Unë ju them atyre, ‘okay, ky është takimi juaj, për çfarë dëshironi të flsini’, ata thonë se duhet të vendosin kur duhet t’i mbajnë zgjedhjet. Unë ju them të vazhdojnë. Ata më pyesin se kur unë mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet, unë iu them se nuk më intereson, është në duart tuaja”, u përgjigj Jacobson.

Por në bashkëbisedimin me studentët, ku këta të fundit patën rastin të bënin pyetje nga më të ndryshmet, ambasadorja amerikane u shpreh e befasuar se asnjëri prej tyre nuk ngriti probleme si papunësia apo rritja ekonomike. Në fakt, këto dy çështje por edhe sundimi i ligjit, sipas ambasadores amerikane, duhet të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme.

“Një sfidë tjetër. Jam e befasuar që ende asnjëri nuk e ka përmendur, edhe pse ju të gjithë jeni të rinj që do të kërkoni punë së shpejti, pra situata me rritjen ekonomike dhe papunësinë. Kjo është e ndërlidhur me sundimin e ligjit por edhe me ambientin e të bërit biznes, sepse ne besojme se rritja ekonomike vjen nga zhvillimi i biznesit privat”, shtoi Jacobson.

Për ambasadoren, në Kosovë mungon vullneti për respektimin e ligjeve, por megjithatë ajo dha pikët maksimale për përkushtimin për të ecur përpara, duke e krahasur kështu Kosovën me shtetin e Letonisë ku ka shërbyer në vitin 2003.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA