SHBA i “shkulin veshin” Berishës

29/05/2014 00:00

Një deklaratë që ish-kryeministri Sali Berisha bëri të enjten gjatë seancës në Parlament ka sjellë reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Në akuzat e tij, zoti Berisha përmendi motrën e zonjës Kodheli, punonjëse e OPDAT, se duke shfrytëzuar këtë detyrë ka bërë presion në Prokurori për arrestimin e gjeneralit Syrja Gjoka disa javë më parë.

OPDAT është misioni amerikan që asiston drejtësinë dhe policinë shqiptare prej vitesh, prandaj dhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nuk ka vonuar.

“Jemi të skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të ambasadës më herët sot nga zoti Sali Berisha, anëtar i parlamenttit, gjatë një seance parlamentare”, thuhet në një njoftim për shtyp, ku sqarohet:

“Zoti Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë”, theksohet në njoftim.

Ambasada e SHBA thotë më tej se, këmbëngul për nivelin më të lartë të intengritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit të saj. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i bën thirrje zotit Berisha që të reflektojë për sjelljen e tij”, thuhet në njoftimin e selisë diplomatike.

Deklartata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara është një ndër reagimet më të forta dhe të drejtpërdrejta të bëra ndonjëherë nga kjo përfaqësi diplomatike për çështje që kanë të bëjnë me debatin politik shqiptar.

Reagon Berisha: I vendosur t’i paraqes provat SHBA

Por menjëherë pas deklaratës së Ambasadës Amerikane ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha.

“Lidhur me një deklaratë të Ambasadës Amerikane për një denoncim timin në Parlament sqaroj edhe njëherë opinionin publik sa vijon: Znj. Alba Ibrahimi Vata ka ndërhyrë me këmbëngulje që të hapet çështja penale ndaj Gjeneral Syrja Gjokës dhe kjo ndërhyrje, që sipas saj është bërë në emër të OPDAT, është refuzuar nga prokurorët tek të cilët ajo ka ndërhyrë. Nuk kam asnjë dijeni që misioni OPDAT të ketë tagër të ndërhyjë në cështje penale të vecanta. Gjykata e Apelit gjeti të paligjshëm arrestimin e Gjeneral Syrja Gjokës”, thotë Berisha.

Ish-kryeministri vijon në deklaratë se është i vendosur dhe i gatshëm t’i paraqesë provat “qeverisë” amerikane, duke shmangur përdorimin e termit Ambasadë në fund të reagimit të tij që lë të kuptohet se ish-Kryeministri vazhdon t’i qëndrojë mendimit se Ambasadori Arvizu nuk është përfaqësues i SHBA në Tiranë.

Duke shprehu konsideratë më të lartë për Ambasadën e SHBA në Tiranë, mbetem i vendosur t’i paraqes qeverisë së SHBA çdo provë lidhur me problemin në fjalë.

Top Channel