
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Erion Veliaj ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur në lidhje me grevën e urisë së të larguarve nga administrata si edhe për atë të nisur gjatë së mërkurës nga të përndjekurit politik .
Ministri Veliaj i ka cilësuar dy grevat e nisura si krejtësisht politike dhe të drejtuara nga njerëz tërësisht pa legjitimitet, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me kauzat që ata përfaqësojnë.
Sipas tij vetëm brenda 5 muajve janë shpërndarë këstet për 1 mijë të përndjekur politik, të cilët në 8 vite nuk kishin marrë asnjë këst.
Pandi Gjata: Përveç grevës së urisë së të larguarve nga administrata nisi edhe ajo e të përndjekurve politik. A është kjo e drejtë dhe si do të arrini të zgjidhni kërkesat e tyre?
Erion Veliaj: Unë gjykoj që çdo lloj greve dhe çdo lloj proteste është e drejtë si instrument i të bëri me dije të interesave, bindjeve apo shqetësimeve. Ajo që gjykoj që është e padrejtë janë motivet. PD nuk është treguar inteligjente sepse ka zgjedhur njerëz që drejtojnë këto kauza njerëz që nuk kanë lidhje me to. Kauzën e të përndjekurve politik e drejton një zotëri që nuk ka bërë asnjë ditë burg. Në këtë sens grevës i humbet vlera pasi duket që ka kalendar politik. Kur zgjedh që drejtuesit e këtyre kauzave të jenë njerëz pa legjitimitet sigurish që bëhet e vështirë. Kjo dëmton realisht ata që janë të përndjekur që presin këstet që nuk u dhanë në 8 vjet.
Pandi Gjata: Si është situata më dëmshpërblimet e të përndjekurve?
Erion Veliaj: Situata është shumë transparente. Ne kemi një fund prej 18 mln dollarësh. Unë personalisht jam çdo javë kur në shpërndajmë këstet. Ne duhet të ndryshojmë ligjin dhe t’i japim prioritet atyre që janë ende gjallë sesa nipërve apo mbesave që kanë të drejtë të përfitojnë, por mund të presin teksa ata që e kanë përjetuar vuajtjen mbi kurriz duhet t’i marrin ato. Në 8 vjet duhet të ishin dhënë 8 këste, por janë dhënë vetëm 2 këste dhe këto vetëm për një pjesë dhe 2 mijë të tjerë nuk kanë marrë asnjë këst. Ne në 5 muaj, rekord, për 1 mijë veta, që nuk kishin marrë asnjë këst, i kemi shpërndarë dhe 1 mijë të tjerët do t’i përfundojmë brenda verës. Kjo do të thotë që duhet të jemi një shoqëri e së drejtës, jo një kanibalizëm social. Një politikan serioz që beson tek ajo kauzë shkon vetë në grevë dhe nuk shkon për të bërë foto në grevat e të tjerëve.
Pandi Gjata: A ka qasje politike kjo grevë, por edhe ajo e të larguarve nga puna dhe a është një moment tensioni mes mazhorancës dhe opozitës?
Erion Veliaj: Në momentin kur çadrat i instalojnë vet deputetët dhe nuk futen vet në grevë kam përshtypjen që e demaskon pak këtë situatë dhe ja heq komplet simbolikën grevës. Unë kam qenë personalisht i interesuar dhe i shqetësuar dhe kam kërkuar të shoh të gjitha dosjet e këtyre njerëzve. Edhe këtu kemi një problem moral, më mirë që grevën e drejton dikush që nga vet PD-ja paralajmërohet 5 herë për heqje nga puna sepse nuk shkon në punë, kjo do të thotë që janë disa njerëz që kërkojnë rrogë dhe jo punë. Unë gjykoj që dikush me gjimnaz, kur kërkohet dikush me universitet, në Gjirokastër i ka bërë lëmsh pensionet e Gjirokastrës sigurisht që do të zëvendësohet nga një njeri me universitet.
Pandi Gjata: Nga kjo që ju po thoni greva do të vazhdojë, por me shumë mundësi personat në grevë do të shtohen.
Erion Veliaj: Ashtu siç ka funksionuar edhe 8 vitet e tjera, asnjë njeri nuk ka shantazhuar shtetin. Në momentin që fiton gjyqet në të gjitha shkallët, ligji ka një përcaktim, kur gjykata të jep të drejtë merr paratë e kompensimit dhe nëse gjykata nuk të shpall fitues nuk ke më se çfarë të kërkosh. Sot, në raportet me opozitën, ne duhet të imitojmë sa të mundemi atë që po ndodh kudo në botë. Si qeveria dhe opozita në Gjermani janë duke folur “t’i përveshim mëngët dhe ti futemi punës” dhe ne kemi një qeveri që flet për punë dhe një qeveri që flet për sevap.
Pandi Gjata: Përveç këtyre 2 grevave të urisë është folur që do të kemi edhe të tjera. Do të ketë një reagim të qeverisë apo do të lejohen të vijojnë?
Erion Veliaj: Për një njeri, i cili nuk ka bërë asnjë ditë burg si i përndjekur unë nuk mund të taksoj prindërit e t’u dhe t’i jap para dikujt që thjesht vetë emërohet i përndjekur, për njerëz që e kanë pasur punën edhe nuk shkojnë në punë ose gjimnazistë që duan të bëhen drejtorë pensionesh, kjo nuk mund të ndodh. Njerëz që marrin edhe rrogë nga shteti, vjedhin edhe kempin kjo është mëkat për dikë që realisht është sakat. Këto persona mund të vazhdojnë grevën, por të organizosh greva dhe të ngresh çadra nuk është strategji qeverisëse. Nëse 99% e shoqërisë beson te merita dhe te puna dhe 1% e shoqërisë që bënë shantazh dhe kërkon të paguhet dhe pse nuk e meriton, kështu nuk po kultivojmë një shoqëri europiane. Unë besoj që opozita po humbet terren çdo ditë, megjithatë ky është vendim i tyre.
Pandi Gjata: Grevat janë njëra anë, por duket se do të ketë edhe betejë parlamentare. PD ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar për të gjitha emërimet në administratë dhe ka pasur edhe raste të denoncuara nga PD për emra problematik të emëruar.
Erion Veliaj: Unë kam qenë dje në Komisionin e Integrimit dhe sigurisht që jam i përgatitur për çdo lloj komisioni, por gjykoj edhe pse Shqipëria sot nuk është një vend i përkryer, krahasuar me atë të vitit të kaluar është një vend normal. Një vit më parë ndihmë ekonomike nuk paguhej prej 6 muajsh, sot paguhet në kohë, familjet rome rrinin në rrugë dhe ishin turpi i këtij qyteti dhe sot kanë një strehim. Zyrat e punës ishin nëpër apartamentet e pallateve të drejtorëve, nga këtë që janë sot në grevë, sot janë në qendër të qytetit. Do të donim të kishim punësuar të gjithë popullsinë, por më mirë diçka se sa asgjë. Unë gjykoj që PD vërtet është në opozitë, por nuk është në opozitë në Tiranë, e ka mundësinë që t’i heqë biletat për invalidët në autobus, në Tirane e ka mundësinë që në 4 mijë veta që ka në staf Bashkia e Tiranës po të donte i fuste grevistët në punë. Qartazi që kjo është politike. Në çdo sondazh njerëzit në Shqipëri besojnë te puna dhe merita.
Pandi Gjata: Jemi në një situatë me greva, një klimë e acaruar politike, akuza që po vijojnë prej jacësh për trafik droge. Gjithë kjo klimë a do të ketë efekte për statusin?
Erion Veliaj: Nuk do të ketë asnjë efekt te statusi një regji e keq konceptuar dhe shumë e dobët e shantazhit ndaj një qeverie, e cila po bënë gjithçka për të nxjerrë vendin nga një gropë e paimagjinueshme. Të gjithë vlerësimet inkurajuese nga shtetet kryesore dëshmojnë se këtu po vlerësohet dhe po duket qartë se kush udhëheq me fjalë dhe kush me punë. Ne po udhëheqim me punë dhe detyra jonë nuk është të bëjmë negociata me çdo person që na shantazhon, detyra jonë është t’i japim këstet atyre që kanë bërë burg dhe jo atyre që nuk kanë bërë. Është e njëjta sjellje që do të kishte bërë cilido shtet i civilizuar . Negociata me terroristë dhe me shantazhues nuk bëhet në asnjë vend.
Top Channel