Agjensi turistike dhe hoteliere të Kosovës dhe Shqipërisë janë bërë bashkë në panairin e turizimit për të prezantuar ofertat turistike për këtë vit në destinacione të ndryshme.

Ndonëse në numër të kufizuar, Shqipëria kryesisht përfaqësohet nga hotele në zona bregdetare të cilat këtë herë vijnë me oferta të veçanta për turistët kosovarë.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi shtoi se përveç ofertave është e rëndësishme që turistët nga Kosova të priten mirë: “Jam i lumtur që marr pjesë në këtë panair prestigjioz. Ky panair nuk i përket vetëm Kosovës, por gjithë rajonit. Numrin më të madh të turistëve në bregdetin shqiptar e përbëjnë turistët nga Kosova.”
 
Edhe autoritetetet kosovare presin që këtë vit turizmi të shënojë një kthesë pozitive. Sipas ministrit në largim të Tregtisë, kjo do të ndodhë falë kategorizimit dhe klasifikimit të objekteve hoteliere. Bernard Nikaj tha: “Ky vit do të shënojë një kthesë në zhvillimin e turizmit në Kosovë. Për herë të parë kemi nisur një proces shumë të rëndësishëm për kategorizimin që do e rrisë cilësinë e ofertës vendore për turistët.”
 
Krahas Panairit të Turizmit, në Pallatin e Rinisë po zhvillohet edhe ai i edukimit. Universitete të ranguara lart në listën e universiteteve më të mira në botë do të prezantojnë programet për studime të nivelit master dhe doktoraturë, përfshirë edhe bursa për studentët kosovarë.
 
Milena Tutsch, përfaqësuese e Ambasadës Gjermane, u shpreh: “Thënë thjesht dhe shkurt, investimi në një arsim të mirë ia vlen dhe është i domosdoshëm për zhvillimin politik dhe zhvillimin ekonomik të një vendi sidomos edhe për Kosovën. Prandaj jemi këtu me disa institucione gjermane të cilët do të prezantojnë para nxënësve dhe studentëve mundësi të ndryshme rreth arsimimit.”
 
Panairi i Turizmit dhe Edukimit është i hapur deri më 30 maj.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA