Gjenerali i UÇK-së, Sylejman Selimi dhe tre bashkëluftëtarët e tij, Nexhat Cubreli, Ismet Haxha dhe Shefki Hyseni janë liruar nga te gjitha akuzat dhe janë shpallur të pafajshëm të enjten nga Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Kryetari i trupit gjykues, Darius Sielitzci ka thënë se nuk është arritur të vërtetohet dyshimi i bazuar, se të pandehurit në bashkëkryerje në cilësinë e ushtarëve të UÇK-së kanë kryer krime lufte duke cënuar integritetin trupor të dëshmitareve të identifikuar me gërmat “A” dhe “B”.

Selimi, Cubreli, Haxha dhe Hyseni akuzoheshin për krime lufte që pretendohet se janë kryer gjatë vitit 1998, në rajonin e Mitrovicës.

Ky ishte rasti i dytë me të cilin u ballafaquan Selimi e Haxha, pasi të dy janë të akuzuar edhe në procesin tjetër gjyqësor i njohur si “Grupi i Drenicës”.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit ka treguar për Top Channel se Selimi dhe Haxha vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim për akuzat e mëparshme në çështjen “Grupi i Drenicës”.

Pas përfundimit të gjykimit për rastin e Selimit dhe të tjerëve ka reaguar misioni EULEX duke sqaruar se, në këtë rast nuk u gjykua UÇK-ja, por të pandehurit.

Në komunikatën e EULEX-it thuhet se, aktgjykimi për këtë rast në asnjë mënyrë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e Prokurorisë Speciale të Kosovës për t’i ndjekur të gjitha rastet e krimeve të luftës që janë të bazuara mirë, përfshirë edhe ato të dhunës seksuale.

Këtë vendim e kanë përshëndetur kryeministri Hashim Thaçi dhe subjektet politike në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA