
Seanca parlamentare nisi e tensionuar, por debati në të u kanalizua tek akuzat e palëve për lidhjet me ish-diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin komunist, pasi ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzoi për këtë pasardhësin e saj në këtë detyrë, Ilir Meta.
“Kongresi i Përmetit çliroi Shqipërinë. Por problemi juaj është se ju nuk e njihni Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ky është problemi juaj me 5 majin dhe 29 nëntorin. Asnjë problem tjetër nuk keni ju. Ne jemi krenar për Luftën Antifashite”, u përgjigj nga ana e tij Meta.
Ky argument, që zuri pothuajse të gjithë debatin parlamentar, vijoi më pas me replikat e pandërprera të ish-kryemistrit Berisha me kryeministrin Edi Rama.
“Kjo opozitë është e pamposhtur sepse e kanë krryer etërit tuaj nga pushteti. Sa i përket qëllimeve të mia, sigurisht që ti ke urrejtje të madhe ndaj meje. Sepse atë që u bëra etërve ua bëra bijve të tyre që erdhën me rebelim komunist në 97-n. Dhe të garantoj se do të t’ia u bëj edhe juve”, deklaroi Berisha.
“Kam vetëm një pyetje për imagjinatën e të gjithëve: Sikur të ngjallej Enveri, kë do mbante mend nga ne të tre? Kë do njihte? Sigurisht që do njihte sekretarin e vetë të partisë dhe profesorin e vetë që e bëri kryetar Parlamenti. Unë jam krenar për tim atë dhe jam i lumtur kur e shoh Saliun që përkulet para Nënës Shqipëri”, tha nga ana e tij Rama.
Më pas replikat vijuan mes deputetit demokrat Kastriot Islami dhe sërish kryeministrit. “Analiza se çfarë do të ndodhë me këtë njeri është bërë nga dy personalitete të mëdha, prandaj iu djeg këtyre, John Kerry dhe Joseph Daul. Sot keni 10 persona që John Kerry i quan oligarkë, korrupsion dhe dje është vërtetuar teza e tretë: banditizëm”, tha Islami.
“Në vend që në Parlament të bëhej një analizë se çfarë duhet të bëjmë së bashku kur jemi fare pranë statusit, dëgjojmë se çfarë i thotë Obama në vesh Kerryt dhe Kerry ia përcjell Islamit përmes Joseph Daul. Ata që janë me partinë tuaj, janë sepse në fillim besonin se ishte lëvizja antikomuniste. Por sot partia ka përfunduar në duart e Saliut dhe Islamit. Enveri nuk mund të gjente më mirë”, u përgjigj sërish Rama.
Top Channel