Debatet mes deputetëve në Kuvend

29/05/2014 00:00

Seanca plenare u shoqërua me debate të ashpra mes deputetit socialist, Erion Braçe, dhe ish-kryeministrit Berisha, për të cilin Braçe tha se duhet të përgjigjet për një mori çështjesh, përfshi 4 vrasjet e 21 Janarit dhe shitjen e territorit të vendit. Braçe i kërkoi kreut të Kuvendit, Meta, zhvillimin e një seance me dyer të mbyllura, për të shqyrtuar një dosje sekrete të SHISH, që – sipas Braçes – implikon deputetë të opozitës.

Erion Braçe, deputet i PS: Keni dorëzuar pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe e keni bërë këtë në mënyrën më skandaloze të mundshme nga pikëpamja administrative, që pastaj ju çon në një krim penal. Vetëm tre raunde për të lëshuar pjesë territori të Republikës së Shqipërisë. Pa asnjë dokument referues. E ka bërë njëri më parë dhe ju e servirni atë si një nga luftëtarët më të mëdhenj në këtë vend dhe e ka bërë edhe një zotëri tjetër këtu, që bën sikur nuk dëgjon apo nuk kupton, por që në emër të tij duhet të dëgjojë Prokurori i Përgjithshëm për ta hetuar këtë çështje dhe për ta çuar deri në fund. Ti ke kryer krime dhe duhet të përgjigjesh për to. Ti ke vrarë katër njerëz tek ato gardhet, jashtë tyre, në bulevard, një tjetër krim për të cilin ti duhet të përgjigjesh penalisht. Zoti Meta, meqë kjo puna e Kadriovskit është përmendur 2-3 herë këtu në sallën e Kuvendit nga ky zotëri, atëherë unë kërkoj seancë me dyer të mbyllura në këtë Kuvend, për të shqyrtuar një dosje të Shërbimit Informativ Kombëtar për Daut Kadriovskin dhe lidhjet e tij me këtë grup parlamentar. Emër për emër këtu, ca nuk i ke sot në sallë, por të tjerët i ke në ato dosje.

Sali Berisha, deputet i PD: Sa u përket dosjeve, kur të duan. Me radhë çdo dosje po të doni, sepse për to unë jam arkiva. Kur të doni zotërinj.

Ndërsa debatet mes deputetes Jozefina Topalli dhe Taulant Ballës u përqëndruan te greva e urisë e të larguarve nga puna.

Jozefina Topalli, deputet i PD: Ndërkohë rrugët dhe korridoret e vendit janë hapur për drogën, jashtë në një çadër, prej 8 ditësh, 18 vetë janë në grevë urie për bukën e gojës. Në ditën e shtatë, ky mbrapa meje, urdhëron të bëhet padi dhe kallzim penal ndaj atyre që kanë shkuar për t’u flijuar. Akt kriminal, i padëgjuar në historinë 24-vjeçare të demokracisë në Shqipëri. I aftë për ta bërë vetëm një njeri, që ka një shpirt të keq.

Taultant Balla, deputet i PS: Agron Dervishi ka hyrë në grevë urie ky personi se është hequr nga puna. Ka qenë shef i zyrës së ndihmës ekonomike në Gjirokastër. Tani, ky person që është hequr me pa të drejtë nga puna, ka vetëm një diplomë, atë të shkollës së mesme, pra gjimnazin. Vendi i punës, thotë sipas ligjit të miratuar së bashku më 30 Maj, e kërkon ekonomist, specialist i lartë. Më falni, e kemi miratuar bashkë, do ta respektojmë këtë ligj? Ky ishte me gjimnaz, për çfarë padrejtësie flet ky që është hequr nga puna? Jo, sepse ishte me gjimnaz. Drejtori i Përgjithshëm i Antikontrabandës është ish-truproja e zonjës Topalli dhe dhëndër familjar i kësaj zonje.

Top Channel