PD: Hetim parlamentar për emërimet

28/05/2014 00:00

Pas rrezimit të kërkesës një javë më parë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për atë që opozita e quan “rritje të narkotrafikut në vend”, demokratët përmes ndryshimit të objektit kërkojnë ngritjen e një tjetër komisioni.

Megjithëse kërkesa e depozituar në Kuvend ka si objekt hetimin parlamentar të emërimeve në administratën publike, në këtë të fundit ata kanë përfshirë edhe atë që quajnë “emërime të njerëzve që janë të përfshirë me narkotrafikun”.

“Po shohim se është rritur narkotrafiku dhe kjo mesa duket bëhet nga symbyllja e njerëzve në administratë. Janë emëruar njerëz me preçedentë penalë dhe kjo ka nevojë për hetim që shqiptarët të shohin se kush i qeveris”, deklaroi deputeti Eduart Halimi.

Pyetjes së mediave se, cili do të jetë raporti i opozitës me Kuvendin pas bojkotit të sotëm për shkak të incidentit të djeshëm, Halimi tha: “Do të flasim në seancë. Kjo është një çështje që do të shihet nesër”.

Top Channel