Merret në ruajtje gjykatësi i “Dajtit”

28/05/2014 00:00

Ndryshojnë masat e sigurisë për trupën gjyqësore që po gjykon të pandehurin Dritan Dajti, nën akuzë për vrasjen e katër policëve.

Një dite pas shantazhimit nëpërmjet një fotoje të njërit nga familjarët e gjyqtarit, kryesuesi i trupës gjyqësore së bashku me familjen e tij është marrë në mbrojtje nga reparti RES.

Mulkurti është i dyti gjyqtar që vendoset nën ruajtje, ndërkohë që më shumë se dy vjet më parë nën mbrojtje u vendos familjarisht edhe një tjetër anëtar i kësaj trupe, gjyqtari Ardit Mustafa.

Por burimet e policisë pohojnë se përveç masave tashmë të kthyera në një rutinë edhe për vetë godinën e Krimeve të Rënda, kur sa herë që ka proces gjyqësor ndaj Dritan Dajtit ndërtesa kontrollohet edhe me qen që nuhasin lëndët shpërthyese, masa të tjera sigurie përfshijnë edhe anëtarët e tjerë të kësaj trupe.

Pas seancës së të martës, e cila ka shkatuar një gjendje alarmi në trupën gjyqësore të Krimeve të Rënda ka reaguar gjykata me një njoftim për mediat.

Në të thuhet se, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënon ashpër kercënimet, presionet dhe shantazhet që po i bëhen gjyqtarëve të saj, me qëllim për të shmangur vëmendjen nga ecuria e procesit, pengimit të ushtrimit të funksioneve të tyre dhe zgjatjen e bllokimit të proceseve gjyqësore.

“Prej kohësh gjyqtarët po i nënshtrohen kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve të shumta nga të pandehurit, si dhe personat e afërm të tyre. Kërcënimet kanë qenë të llojeve të ndryshme, që nga kërcenimet me jetë dhe cënimi i integritetit fizik dhe moral, deri tek shantazhimi, siç është edhe rasti i fundit nëpërmjet publikimit të fotove të montuara që po i ushtrohet familjarëve të gjyqtarëve”, thotë GJKR.

Ndodhur në këto kushte, gjykata kërkon “mbështetjen e Policisë së Shtetit, institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit, të gjthë faktorëve të sistemit të drejtesisë, si dhe ndërgjegjësimin e të gjtha mediave në mbështjetje të gjyqtarëve të kësaj gjykate në dhënien e drejtësisë dhe realizimin e një gjykimi të drejtë, objektiv në përputhje me parimet kushtetuese dhe ato proçeduriale penale”.

Më tej në njoftim shprehet shqetësimi i Krimeve të Rënda për impaktin që krijon në opinionin publik çdo lajm mbi keqpërdorimin, shantazhimin dhe cënimin e jetës private të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre dhe në të njëjtën kohë përgenjeshtron lajmet e publikuara në disa prej mediave të shkruara në lidhje me sa më sipër.

Gjykata e Krimeve të Rënda rikonfirmon se, nëpërmjet vendimeve të saj po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për ecurinë e procesit gjyqësor në fjalë, me qëllim të vetëm përmbushjen e funksionit të saj në dhënien e drejtësisë.

Përmes kësaj deklarate të papreçedentë për një histori gjyqësore të papreçedentë në sistemin e drejtësisë shqiptare, për herë të parë një organ gjyqësor apelon publikisht për ndihmë dhe mbështetje në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta