Ekzekutimi i Tolliajt, 15 të shoqëruar

27/05/2014 00:00

Policia e Durrësit ka shoqëruar të paktën 15 persona të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë në vrasjen e Arben Tolliajt mbrëmjen e së hënës në Xhafzotaj të Durrësit.

Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shkaku i vrasjes mendohet të jetë hakmarrja, ndërkohë që rrethi i të dyshuarve është shumë i madh për shkak se vetë Tollia u dënua me 12 vjet burg për ngacmime dhe marrëdhënie seksuale me dhunë për 380 vajza dhe gra.

Policia mendon se aktet e kryera nga viktima mund të jenë edhe arsyeja e ekzekutimit të tij. Policia tha se pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve ka dalë në përfundimin se dy janë personat që kanë marrë pjesë në vrasje, të cilët më parë kanë ndjekur lëvizjet e tij.

Automjeti nga i cili dolën dy presonat ishte parkuar prej disa orësh përpara apartamentit të tij dhe vetëm përshkrimi i bërë nga dëshmitarët okularë mund ta çojë policinë në ndonjë identikit të mundshëm të autorëve të krimit.

Tollia dyshohet të ketë kryer krime seksuale edhe gjatë kohës që ishte në burg, duke shfrytëzuar lejet që merrte për të parë të ëmën në Xhafzotaj, me te cilën jetonte edhe pasi kishte dalë nga burgu, në fillim të majit të këtij viti. Tollia u arrestua në 2006-n dhe një vit më pas Gjykata e Krimeve të Rënda i dha dënimin me 12 vjet burg.

Gjatë hetimit gjyqësor rezultoi se Tollia i kishte mashtruar femrat duke u hequr si biznesmen ndërtimi dhe se do t’u falte atyre apartamente në Tiranë. Gjatë akteve seksuale ai u bënte atyre foto nudo dhe më pas i kërcënonte se do t’ua jepte ato familjarëve të tyre.

Tollia deklaroi edhe gjatë procesit gjyqësor se kishte shkuar edhe me gra politikanësh dhe njerëz të tjerë me pushtet, por të gjitha deklaratat e tij nuk u vërtetuan asnjëherë.

Top Channel